Ljuis Hamilton ka fituar Çmimin e Madh të Belgjikës. Në Spa, britaniku i Mercedesit u nis nga pole position dhe e dominoi garën nga fillimi e deri në fund, edhe pse Sebastian Fetel nuk u dorëzua në asnjë moment, duke provuar shpesh parakalimin. Në fund, gjermani u kënaq me një vend të dytë që gjithsesi vlen shumë, sepse e mban në krye të renditjes së Botërorit për pilotë.
Hamilton e Fetel u nisën nga radha e parë, por edhe Botas e Raikonen e nisën mirë. Zgjati vetëm 10 xhiro gara e Verstapen, i detyruar të tërhiqej për një problem në makinën e tij. Pikërisht ndalesa e holandezit futi në telashe Raikonenin, sepse finlandezi përfundoi nën hetim për shkak se nuk uli shpejtësinë gjatë flamurit të verdhë: 10 sekonda stop&go për ferraristin.
Temperaturat e larta futën në siklet pilotët dhe që në xhiron e 12-të Hamilton kaloi te gomat e buta, pasur nga shumica e pilotëve. Gjithnjë Hamilton në krye, me Fetel shumë pranë, ndërsa Raikonen kishte rrëshqitur në vendin e gjashtë pas penalizmit. Në xhiron e 30-të Perez e Okon përplasen dhe futet Safety Car, me gjithë makinat që ngjishen sërish. Raikonen futi i pari në pit-stop dhe përfiton, sepse arrin të kalojë Botas, ndërsa Hamilton ruan kreun, pavarësisht nga sulmet e Fetelit. Rikardo e mbylli i treti, para Raikonen, me Botas të pestin.
Në renditjen e përgjithshme, Fetel tani është +7 mbi Hamilton, ndërsa Botas është tashmë i qetë në vendin e tretë të Botërorit, ndjekur nga Rikardo e Raikonen.