Rraman Hallaçi dhe Kukësi i kanë ndarë rrugët, përkohësisht. Ish-mbrojtësi i djathtë, i cili ishte pjesë e stafit teknik të verilindorëve prej më shumë se një viti, tashmë ka marrë drejtimin e Internacional U19. Për të ardhur deri këtu kanë ndodhur shumë gjëra.
Vetë Hallaçi nuk dëshiron të flasë shumë, edhe pse fatkeqësisht e ka parë veten të ndihet i tepër te Kukësi i tij. Në këto kushte bashkëpunimi me verilindorët është mbyllur dhe Hallaçi nuk ka mundur të qëndrojë i heshtur, edhe pse “helmi” që hedh është në masë të vogël.
REAGIMI I HALLAÇIT – “Përshëndetje miq! 8 vite së bashku përjetuam emocione të jashtëzakonshme, fituam trofe, kaluam shumë raunde në Europë, e ngritëm emrin e Kukësit shumë lart dhe për këtë jam shumë krenar si kuksian i vërtetë dhe shumë i fortë.
Gjej rastin të falënderoj iniciatorin e planit të ngjitjes së Kukësit në futboll Z.HASAN HALILAJ, FAMILJEN KASTRATI, Z.FLAMUR HOXHA, Z.BASHKIM GJOKA,Z.RAM GECI,PRESIDENTIN SAFET GJICI PËR INVESTIMIN KOLOSAL QË KA BËRË NË KUKËS, si dhe shumë njerëz të tjerë të nderuar që kanë kontribuar për Kukësin, me shumë respekt për të gjithë.
Unë personalisht nuk doja kurrë të ikja nga Kukësi im, por vetëm kaq, nuk dua të flas më shumë për arsyet e largimit dhe as nuk mundet njeri të më largojë nga Kukësi përfundimisht ndonjëherë, por mënyrën si më larguan nuk e meritoja.
Falënderoj të gjithë dashamirësit e mi e të gjithë tifozët e mrekullueshëm kuksian që më kanë mbështetur në çdo hap, për mua ata janë special. E vështirë ndarja me Kukësin, por nuk ishte zgjedhja ime kjo. Suksese të mëtejshme FK KUKËSIT”, shkruan Hallaçi në llogarinë e tij në Facebook.