Kukësi vazhdon përgatitjet për transfertën kundër Tiranës, që do të zhvillohet të martën në orën 18:00. Kësaj here ka qenë radha e Rrahman Hallaçit, zëvendëstrajnerit të verilindorëve të dalë në konferencën për shtyp para sfidës me bardheblutë.
35-vjeçari kërkon kthesën pas humbjes së papritur me Flamurtarin, vlerëson kundërshtarin dhe kërkon të minimizohen gabimet në mbrojtje. Lufta për titullin vazhdon, edhe pse Skënderbeu dhe Partizani janë shkëputur disi.
Kukësi krijon shumë sipas Hallaçit, por rezultati ka më shumë rëndësi se loja dhe një gjë e tillë do të tentohet të bëhet që nga sfida e radhës kundër Tiranës së Memës.
Rrahman, pse në këtë konferencë trajneri Cungu nuk zgjodhi që të dilte vetë para medieve?
-Nuk është e thënë që të dalë gjithnjë trajneri, mund të dalë dhe ndonjë pjesëtar tjetër i klubit, si shefi i klubit, menaxheri, apo ndonjë lojtar. Nuk ka asnjë problem. Më tha që do të dal unë sot dhe asgjë tjetër.
Skuadra ka luhatje në rezultate, pse po ndodh kjo gjë?
-Është normale që skuadra has vështirësi ndonjëherë, duke ditur që shumë lojtarë të rinj kanë ardhur gjatë merkatos. Ajo që na ngroh është fakti se këto lojtarë që kanë ardhur po futen në ritmin e lojës, në atë që ne kërkojmë. Një garanci për ne është loja që ka ardhur vazhdimisht në rritje. Kuptohet që nuk ndihemi mirë kur marrim një rezultat negativ, por ajo që na jep bindjen që do ecim përpara, është se loja po vjen në rritje. Në pjesët e dyta kemi pasur një rritje të madhe, por në futboll ka dhe gabime. Nuk na vjen mirë për ato gola që pësojmë, por nga dita në ditë po i korrigjojmë. Mendoj se shumë shpejt do të vijnë dhe rezultatet, duke parë dhe lojën.
A mund të themi se po mbeteni pak mbrapa skuadrave që pretendojnë titullin?
-Jo, nuk mund të themi se kemi mbetur pas, pasi nuk janë shkëputur shumë Partizani dhe Skënderbeu. Po bëjnë mirë, por dhe ata do të kenë një moment jo të mirë, pasi kampionati është i tillë, që në një moment bën mirë dhe në një moment tjetër do gabosh. Ne kemi gabuar deri tani dhe ndoshta në të ardhmen nuk do gabojmë. Loja premton se ne do të bëjmë mirë në të ardhmen.
Si Kukësi dhe Tirana duan fitoren me çdo kusht, si e shikoni këtë përballje?
-Tirana është e vlerësuar gjithnjë, sepse ka një ekip me histori të madhe. Duke parë dhe ndeshjen e fundit, mund të them se fati nuk ishte me ata, pasi kishin shumë raste për të shkuar te fitorja dhe ne e vlerësojmë si gjithnjë, pasi e meriton që të vlerësohet. Duhet të jemi shumë të përqendruar, pasi nuk na lejohen më hapa fals.
Ju mungon finalizimi, ku po çalon skuadra në këtë pikë?
-Është e vërtetë që ne krijojmë shumë raste, krijojmë shumë volum, por nuk është e lehtë të shënosh. Është e rëndësishme që skuadra të shkojë deri te portieri kundërshtar, por kuptohet që më pas duhet të shënojmë, sepse duhet të marrim pikët. Nuk mjafton vetëm loja e mirë. Kemi besim se nga java në javë do të përmirësohemi.
Si është gjendja e skuadrës para kësaj sfide?
-Kemi pasur disa dëmtime. Në stërvitemi në fushë me bar artificial dhe më pas kalimi te fusha me bar natyral ka problemet e veta, por kuptohet se pjesa më e madhe do të jetë në fushë. Vetëm Rrumbullaku dhe Musolli nuk janë të gatshëm, ndërsa pjesë tjetër them se do të jenë të gatshëm.