Besar Halimi kreu një sezon të shkëlqyer te Brondbi në Danimarkë, ku në 29 aktivizime gjeti shtatë herë rrugën e rrjetës. Mesfushori i kombëtares së Kosovës është rikthyer te Mainci, por trajneri, Sandro Shvarc, e ka bërë të qartë se 23-vjeçari nuk është në planet e tij.
Në një intervistë për “Canal 9”, trajneri i Brondbit, Aleksandër Zorniger, pohoi se do të ishte shumë i kënaqur nëse Halimi do rikthehej në skuadër, pasi mesfushori kosovar e ka treguar se mund të bëjë diferencën në futbollin danez.
Tani kur kanë mbetur dhe pak ditë nga mbyllja e merkatos pritet që të vendoset e ardhmja e Halimit. Sipas medieve gjermane, agjenti i mesfushorit po tenton t’i gjejë lojtarit të tij një kontratë në Bundesligën e dytë, por koha nuk premton dhe te Brondbi dyert për të janë të hapura.