Halili: Disa futbollistë kanë marrë 100 milionë lekë në vit, nuk e rrënova unë Tiranën!

Refik Halili është prej vitesh presidenti i Tiranës, por rezultate kanë qenë zhgënjyese. Ka kohë që presidenti bardheblu është në konflikt të hapur me një pjesë të tifozerisë, që kërkon largimin e tij, por është e qartë që nuk është kaq e lehtë që personi që ka shpenzuar miliona te klubi legjendar të largohet në atë mënyrë.

Sot Halili ka qenë në lidhje direkte me “Zona Gol” në Supersport, ku ka folur për tema të ndryshme, nga e shkuara tek e ardhmja.

Tirana dhe vitet në drejtim – “E kam vlerësuar gjithnjë që Tirana është aset i çmuar dhe një prej klubeve më të mëdha në Shqipëri. Përgjegjësia është shumë e madhe. E kam menduar që të punoj dhe të bëj më të mirën për këtë klub, por gjatë këtyre tre viteve kemi pasur goxha pengesa, sa i përket ecurisë nga 2015, aspo sezoni 2014-2015 e në vazhdim. Uroj që nga dita në ditë të bëjmë më të mirën për këtë klub. Po punoj me shumë kujdes, edhe pse nuk kemi pasur rezultate të mira. Po mundohemi që të shkojmë drejt zbardhjes së problemeve që edhe i kemi trashëguar. Paralelisht jam munduar që të bëj një skuadër, kur ka qenë një ekip shumë i mirë, por nuk u futëm as në Europë në vitet 2014-2015. Kam pyetur veten nëse jam unë fajtori për këto rezultate, por u rikujtoj se kemi pasur 5 futbollistë të paguar me një mesatare prej 100 milion lekësh në vit. Ndoshta nuk donte dhe fati”.

Problemet pa fund dhe borxhet e vjetra – “Mund të flasim pa fund për klubin, si për mirë dhe për keq. Gjatë kësaj periudhe kam qenë i rënduar dhe i goditur nga shumë probleme që ka pasuar klubi. 95% janë të trashëguara. Ka qenë një borxh shumë i frikshëm. Jam njeri që guxoj dhe ata që guxojnë fitojnë, vetëm 5% humbasin nga budallallëku. Ka qenë një periudhë me humbje, pasi kur nuk shkon në Kupat e Europës dhe nuk thith spektatorë… Viti që na hodhën dhe na çuan në Kategorinë e Parë, kishim sportistë që i çuam në Europë, çka nuk ka ndodhur më parë. Ishte një vit shumë i suksesshëm për të ardhurat, por nuk do të harrohet kurrë. Unë do mbetem si njeriu më i keq që e çova klubin drejt rënies. Sapo e privatizova, ndodhi ajo gjëmë e tmerrshme dhe u dënuam 15 ndeshje. Ka pasur një dorë, që për këto gjëra kanë qenë të mirëorganizuar dhe shumë të fshehtë dhe na hodhën poshtë. Unë dua t’i hedh pas shpine, edhe pse nuk harrohen kurrë.

Synimi – “Në këto momente duhet të vijomë kampionatin dhe të arrijmë Kupat e Europës. Ëndrra ime është që ta çoj klubin drejt likuidimit. Do të ketë edhe disa lëvizje falë juristëve, ku nuk kam dashur që të hap probleme, kundër Bashkisë apo padrejtësive. Shpresoj shumë që deri në fund të këtij sezoni borxhet të likuidohet. Çdo ditë para pak kohësh ka pasur ndonjë dokument nga zyrat e përmbarimit. Është shumë e rëndë dhe një goditje shumë e madhe”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *