Trajneri i Bajernit shprehet i zhgënjyer që ndeshja e tij e fundit në Champions u shoqërua me shpërdorime të njëpasnjëshme nga ana e lojtarëve të tij
Jup Hajnkes i thotë lamtumirë Champions-it 20 vite pasi arriti ta fitonte këtë trofe në përvojën e tij të parë në këtë kompeticion në vitin e largët 1998. Në intervistën pas ndeshjes Hajnkes vlerësoi portierin e kundërshtarëve Keilor Navas si dhe komentoi mbi rastin e penalltisë së Marselos në fundin e pjesës së parë. “Jam i zgjënjyer me rezultatin e takimit. Kemi punuar në stërvitje për nëntë muaj, ndërtuam një grup me harmoni perfekte. Është për të ardhur keq që gjërat mbaruan në këtë lloj mënyre. Padyshim lojtari më i mirë i Madridit sot ishte portieri i tyre. Ai bëri disa pritje fantastike të cilat na mohuan golin. Ishim skuadra më e mirë përgjatë dy ndeshjeve. Zhvilluam një pjesë të parë fantastike, sidomos në repartin e mesfushës ku e dominuam thellë kundërshtarin, por në fund një gafë e madhe na ndëshkoi, por nuk është vetëm faji i portierit tonë, pasim drejt tij nuk duhet të ishte bërë në radhë të parë”, tha 72-vjeçari. Më pas tekniku gjerman foli edhe për penalltinë e paakorduar nga gjyqtari turk, Çakër: “Kur e shikoj tani në përsëritje është një penallti e qartë. Por nuk kam ndërmend ta përdor si justifikim, pasi fajin e kemi te vetja. I kemi dhuruar Realit shumë raste që i shpërdoruam në mënyra nga më të paimagjinueshmet, kështu që nuk kam ndërmend të ankohem për gjykimin”.
Hajnkes u ndal më pas te gabimi i rëndë i portierit Sven Uljrash.
“Ulrajsh u hutua në momentin më të gabuar. Pati një “Black-out”. Ai nuk po dinte nëse mund ta prekte topin me duar dhe kur e kuptoi që nuk mundej ishte tepër vonë. Është diçka e tmerrshme për një lojtar, fatkeqësisht do e kujtojë gjatë atë gabim. Ishte një moment i keq për të gjithë skuadrën, por krijuam shuma shanse për shënim. Nuk duhet të harrojmë edhe pritjet që ai bëri, si në rastin me Bejl”.