Ish-trajneri i kombëtares: “Grezda nuk ka dhënë asgjë për minutat që ka luajtur. Një ndeshje që nuk shërbeu për asgjë. De Biazi po sillet si momkokçarës. Nuk kemi bosht, s’e ka fajin mungesa e liderit”
Ish-trajneri i Shqipërisë, Astrit Hafizi, ka analizuar humbjen e Shqipërisë me Luksemburgun. Shkodrani ka qenë kritikues ndaj trajner Xhani De Biazi për shkak të zgjedhjeve të bëra nga ky i fundit. “Ishte një ndeshje për të bërë eksperimente. Duhet që të flasë De Biasi për të kuptuar se për çfarë shërben kjo ndeshje, pasi për atë çfarë pamë në fushë nuk e kuptoj se për çfarë shërbeu kjo miqësore. Ishte një sfidë që të lejon të bësh eksperimente. Kjo ndeshje nuk ka lidhje në ndeshjen me Izraelin. Trajnerin De Biasi nuk e pashë me egërsi siç ka qenë gjithmonë. E kishte marrë lehtë edhe ai.
Për ndonjë individ ka shërbyer, por jo për ndeshjen ndaj Izraelit. Nuk e kuptoj si thirren Grezda dhe Llullakun. Ata nuk janë për ekipin tonë, pasi nuk po luajnë mirë dhe duken si mish i huaj. Lenjani ka humbur shumë reflekse dhe nuk e kuptoj pse i është dhënë kaq shumë minuta për shembull nuk e kuptoj si mund të humbet ai rast, pavarësisht se është i majtë. Kaçe rikthehet pas një viti. Ai e ka humbur refleksin dhe shpirtin e ekipit. Nuk duhet të bëhen lëvizje të tilla dhe të ketë kaq shumë shkëputje mes tyre dhe thirrjeve në përfaqësuese.
Kukeli mund të përdoret si mbrojtës kur mbesim me 10 lojtarë, apo për mënyrën se si do të vijë loja. Ai është një 6-sh shumë i mirë dhe humbim sigurinë në mesfushë. Mendoj se nuk duhet të aktivizohet mbrapa. Skuadra kombëtare për momentin nuk ka bosht, pasi po prishet. Lojtarët herë vijnë, herë ikin, disa për kapriço, disa për arsye të tjera. Mendoj se boshti është dëmtuar. Nuk mendoj se duhet të gjejmë liderin duke parë se s’kemi bosht. Unë nuk e di një bosht, pasi në sulm alternohen 2 futbollistë. Mesfusha nuk ka një lider, ndërsa mbrojtja ka përsëri shumë ndryshime.
Ndryshimet e shpeshta në mbrojtje kanë ndikuar për keq në skemat tona të lojës. Ne nuk kemi kapacitet që të luajmë me 3 mbrojtës. Në kushte të tilla ne gabojmë dhe përfundojmë në këtë mënyrë. Kishte mungesë impenjimi total duke filluar nga trajneri. Nuk besoj se duhet të ndalemi shumë për të parë të gjitha gabimet, pasi mund të gjejmë 1001 të tilla. De Biazi po sillet si moskokëçarës, në vazhdën e sjelljes së tij. Mungesa e daljes direkte pas ndeshjes në media nuk i bën nder”, – shprehet ndër të tjera Astrit Hafizi.