Ka nisur mbarë aventura e Sindrit Gurin në kampionatin belg, sepse skuadra e tij Oostende fitoi sot 2-1 kundër Muskronit, duke dominuar.
Sulmuesi i kombëtares sonë, i transferuar këtë verë nga Kukësi në Belgjikë, luajti nga minuta e parë, ashtu si pritej, sepse është një investim i madh i klubit dhe në miqësoret verore ka shkëlqyer.
Muskroni shënoi në minutën e 23-të, duke befasuar, por Ostend dominoi me kalimin e kohës dhe barazoi sapo nisi pjesa e dytë, kur Guri mori pjesë në aksionin e parë të pjesës së dytë dhe dha pasimin e golit shënuar nga Kapon.
https://www.facebook.com/KVOostende/videos/2167107823321977/
Në minutën e 68-të Muskroni mbeti me 10 lojtarë dhe në të 75-tën erdhi edhe goli i dytë për Ostenden.
Për Gurin një ndeshje e mirë, por fati nuk e deshi, sepse e kërkoi me ngulm golin, duke rrezikuar disa herë në pjesën e parë me gjuajtjet e tij.
Në minutën e 58-të shkodrani pati një mundësi të shkëlqyer, por u vonua shumë për të goditur portën, ndërsa në minutën e 66-të lëvizja e tij e bukur jashtë zone u pasua nga një goditje e bllokuar nga një mbrojtës. Ishte e qartë që sulmuesi ynë po e kërkontte me ngulm golin, që nuk erdhi, por ndoshta në javët e ardhshme do të vijë goli i parë belg.