Guardiola, nga kartoni i kuq te përgëzimet për të tijtë

Një ndeshje shumë nervoze ajo kundër Liverpulit për trajnerin e Mançester Sitit, Pep Guardiola. Në fund të pjesës së parë Pep protestoi ashpër tek arbitri Mateu Lahoz, për një gol të anuluar Sanesë, që do ta kishte çuar ndeshjen në 2-0 për “Qytetarët”. Arbitri spanjoll nuk ia përtoi, duke i treguar kartonin e kuq, i dyti në karrierë në Champions League për Guardiolën, një rekord, sepse vetëm Zhorzh Zhezus dhe Horge Sampaoli ishin përjashtuar dy herë deri tani. E çuditshme, Guardiolës me këtë arbitër nuk i ecën fare, sepse edhe vjet në ndeshjen mes Mançester Sitit e Monakos Guardiola pati shumë ankesa. “E mbaj mend çfarë ndodhi vjet. Ishim 1-1 në shtëpi ndaj Monakos, nuk iu dha një penallti e qartë Agueros dhe një karton i kuq Monakos, ndërsa më pas Monako shënoi”.

Situatë thuajse e njëjtë kundër Liverpulit, sepse Sane shënoi në minutën e 42-të dhe goli u anulua për pozicion jashtë loje, por topi u përplas te një mbrojtës i Liverpulit, duke bërë që goli të ishte i rregullt. Edhe ndihmësi i Guardiolës, Mikel Arteta, protestoi ashpër, ndërsa Guardiola e ndoqi pjesën e dytë nga tribuna.

Megjithatë, pas ndeshjes trajneri i Sitit nuk preferoi të polemizonte, duke përgëzuar lojtarët e tij: “Një përgëzim të madh kam për lojtarët e mi, dhanë gjithçka dhe kanë qenë fantastikë gjithë këtë sezon. Skuadra ka qenë e shkëlqyer deri tani, por tani duhet të përqendrohemi te Premier Liga”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *