Kombëtarja U-17 e Shqipërisë është grumbulluar në ambientet e resort Tropikal para nisjes për në Maltë, ku do të marrin pjesë në turneun e përvitshëm “UEFA Development Tournament” nga data 3 deri në 9 mars.
Ky është turneu i dytë, ku në krye të kësaj grupmosha do të jetë trajneri shkodran Elvin Beqiri, pas eksperiencës në “Mercedes Benz Cup” që u zhvillua në Turqi në muajin janar. Në daljen për shtyp tekniku i kombëtares foli për turneun dhe për punën e bërë nga stafi tij gjatë këtyre muajve.
Sot në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit u zhvillua konferenca për shtyp e trajnerit të Kombëtares U-17 Elvin Beqiri. Përfaqësuesja e kësaj moshe është grumbulluar në kompleksin Tropikal, në qytetin e Durrësit, për tu stërvitur dhe testuar në prag të pjesëmarrjes në UEFA Development Tournament, kompeticion që organizohet nga Federata Malteze e Futbollit nga data 3 deri në 9 mars 2019.
Shqipëria U-17 në këtë kompeticion do të përballet me organizatorët e Maltës, Skocinë dhe Danimarkën. Ndeshjet zhvillohet në 4, 6 dhe 8 Mars, në orën 11:00. Në fjalën e tij gjatë konferencës për shtyp trajneri Beqiri theksoi se ky kompeticion do ta ndihmojë atë për të përcaktuar në një masë të madhe grupin që do të na përfaqësojë në turneun zyrtar eliminator. Një indicie e parë shumë e mirë ishte Mercedes Benz Cup që u zhvillua në Turqi në muajin janar.
“Në muajin mars kemi një turne që zhvillohet çdo vit, vjet është zhvilluar në San Marino ndërkohë që këtë vit do të zhvillohet në Maltë. Do të luajmë kundër Maltës si organizatore, Skocisë dhe Danimarkës. Kuptohet që këto turne na bëjnë shumë mirë sepse zhvillojmë elementin e ri që është edhe objektivi i këtyre Kombëtareve. Shpresojmë që të bëjmë më të mirën, të shohim sa më shumë elemente, sic e dini kemi thërritur element të rinj. Një muaj e gjysmë më parë zhvilluam një tjetër turne, në të cilin grumbulluam lojtarë të tjerë, për të parë sa më mirë të gjithë lojtarët. Tani kemi turneun e dytë që zhvillojmë dhe kuptohet që do të vëzhgojmë elementët e tjerë që kemi grumbulluar. Ky turne është shumë i rëndësishëm sepse i shërben vëzhgimit të elementit të ri. Kemi thërritur disa lojtarë nga jashtë, të cilët në pamundësi për ti ndjekur të gjithë në vendet ku luajnë. Duhet të them se është fat për ne që kemi këto turne kaq të shpeshtë. Disa element nuk na janë përgjigjur pozitivisht për këto grumbullime sepse nuk janë lejuar nga klubet e tyre, si në Greqi dhe Itali, por besojmë se do të na përgjigjen në ndeshje dhe turne të tjera që do të zhvillojmë dhe kur ti kemi në dispozicion do ti shikojmë me kujdes për të përzgjedhur ato më cilësorët. Këto data nuk janë zyrtare nga FIFA dhe është e drejta e klubeve për të mos i lënë të lirë lojtarët, por në datat zyrtare këto lojtarë do të grumbullohen. Pas turneut të parë që zhvilluam në Turqi, kemi fiksuar disa lojtarë, por sigurisht nuk janë të mjaftueshëm për të ndërtuar grupin bazë. Lojtarët kryesorë që do të na përfaqësojnë në turneun eliminator në muajin nëntor do të dalin nga puna e vazhdueshme gjatë të gjithë vitit. Na janë afruar nga shumë skaut lojtarë cilësorë por është problemi i datave të lira dhe nuk janë lejuar nga klubet, në të ardhmen do ti shikojmë nga afër.
Po ashtu kemi edhe lojtarë nga kampionati shqiptar që mendoj se janë shumë cilësorë, kemi shumë lojtarë këtu që po i vëzhgojmë gjatë ndeshjeve të kontrollit në zonat rajonale. Puna në zonat rajonale na ka ndihmuar shumë për të pasur një ide sa më të qartë për lojtarët që luajnë në kampionatin shqiptar dhe mendoj se ka lojtarë cilësorë, ne do ti vëzhgojmë çdo javë për të përzgjedhur më të mirët në të ardhmen.
Sa i kënaqur jeni me nivelin e kampionatit shqiptar të moshave? – Ka rritje, ekipe në Kategorinë Superiore dhe në Kategorinë e parë bëjnë punë serioze, sigurisht që duhet të punojnë akoma më shumë në mënyrën e stërvitjes, punës individuale me lojtarët, por me bashkëpunimin dhe ndihmën tonë këto klube të kenë akoma më shumë rritje. Në Greqi dhe në Itali kemi më shumë kontakte dhe shumë lojtarë që po i vëzhgojmë, ndërkohë jemi duke punuar në Skandinavi për të gjetur lojtarë. Skauti që punon atje për Federatën shqiptare po na sugjeron disa element që janë cilësorë, duhet ti përgjigjen ftesave që do ti dërgojmë në të ardhmen për ti parë nga afër, sepse kuptohet që ka shumë shqiptarë nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia që duan të luajnë për Kombëtaren shqiptare. Dëshira jonë është e madhe për ti parë nga afër dhe shpresoj që të na përgjigjen pozitivisht”, përfundoi Beqiri.