Grumbullim unik dhe një risi në listë, Shqipëria e Edi Rejës

Edi Reja po mendon për debutimin në krye të Shqipërisë. Ndeshjet me Islandën dhe Moldavinë janë përpara dhe tekniku italian ka bërë edhe planin për sfidën në Rejkjavik. Ai pritet ta grumbullojë skuadrën kuqezi që javën e ardhshme, konkretisht duke nisur nga data 20 maj.

A2CNN raporton për një grumbullim që nis në Durrës me nëntë futbollistë dhe bie në sy emri i Marash Kumbullës, mbrojtësit shtatlartë që është pjesë e klubit të Veronës në Itali. I riu ishte edhe në planet e Panuçit, por u dëmtua para ndeshjeve me Turqinë dhe Andorrën. Do të rikthehet edhe Mërgim Mavraj, i cili ka edhe një ndeshje pezullim për të shlyer. Ndaj Islandës nuk luan dot, por më 11 qershor me Moldavinë vetëm një vendim i trajnerit mund ta lërë jashtë.

GRUMBULLIMI DHE LISTA – Nëntë futbollistë do të vihen nën urdhrat e Rejës më 20 maj. Ata do përgatiten deri më 2 qershor në Tropikal Resort në Durrës dhe më pas do të zhvendosen në Gjermani, konkretisht në Frankfurt. Kuqezinjtë, të plotë këtë herë, do të punojnë për 4 ditë aty dhe më pas mbete një seancë para ndeshjes, që do të zhvillohet në Rejkjavik.

Grumbullimi prej datës 20 maj: Kastriot Dermaku (Kozenca), Enea Mihaj (Panetolikos), Marash Kumbulla (Hellas Verona), Mërgim Mavraj (Ingolshtad), Ergys Kaçe (Panathinaikos), Amir Abrashi (Frajburg), Migjen Basha (Aris), Emanuele Ndoj (Breshia), Eros Grezda (Rejnxhërs)

PLANI I EDI REJËS PËR GRUMBULLIMIN
20 maj – 2 qershor, Durrës
2 qershor – 6 qershor, Frankfurt
6 qershor – 7 qershor, Rejkjavik
8 qershor, ndeshja Islandë-Shqipëri
11 qershor, ndeshja Shqipëri-Moldavi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *