Eros Grezda luan si mesfushor anësor, në teori, por sillet si një sulmues i vërtetë dhe Kristian Panuçi duhet ta mendojë mirë në të ardhmen mundësinë që ta vendosë sa më afër zonës kundërshtare në të ardhmen.
Talenti i ri i kombëtares shqiptare, i cili shkëlqeu edhe në ndeshjen e fundit ndaj Italisë, po konfirmohet një lojtar i nivelit të lartë me klubin e vet Osijek, ku sot shënoi golin e tretë në kampionat.
Një “vrasës gjigantësh” Grezda, i cili duket se shënon vetëm gola “të rëndë”: më 9 shtator në fitoren 2-1 ndaj Hajdukut të Splitit, javën e shkuar ndaj Dinamo Zagrebit (1-1) dhe sot në Rijeka, ndaj kampionëve në fuqi.
Osijeku fitoi 2-1 (suksesi i parë në Rijeka pas 7 vitesh) dhe ishte Rijeka ajo që shënoi e para, me Gavranoviç në minutën e 55-të. Pikërisht Grezda mendoi të ndryshonte gjithçka, sepse 7 minuta më vonë shënoi një gol fenomenal, me një lëvizje fantastike në zonë, prej sulmuesi “race”.
Në minutën e 79-të talenti tjetër i Osijekut, Boçkaj, edhe ai i transferuar nga Lokomotiva e Zagrebit, ashtu si Grezda, shënoi një gol fenomenal nga goditja e dënimit. Pikërisht Boçkaj kishte pasuar për Grezdën në rastin e golit të parë.
Spektakël i Osijekut, që kap Hajdukun në vendin e tretë, një pikë pas Rijekës, ndërkohë që klubi kroat foërkon duart: Grezda e Boçkaj janë një thesar në merkato!