Grezda në Gllazgou për kontrollet, Panuçi këshillon Xherard

Eros Grezda është fare pranë transferimit te gjigandët skocezë të Rejnxhërs. Skuadra e drejtuar nga legjenda Stiven Xherard arriti akordin me klubin e Osijekut për blerjen e sulmuesit shqiptar. Sipas marrëveshjes, kroatët do të përfitojnë 2,2 milionë euro, ndërsa kuqeziu ka udhëtuar drejt Gllazgout për të kryer vizitat mjekësore.

Grezda është zëvendësuesi i Xhemi Mërfit dhe me shqiptarin, Rejnxhërs do të mbyllnin merkaton. Transferimi i 23-vjeçarit është drejt finalizimit, ndërsa pritet edhe leja ndërkombëtare, për të përfunduar marrëveshjen. Me yllin e Shqipërisë që ndodhet në ambientet e klubit, tifozët e eikpit u entuziazmuan nga deklaratat e Kristian Panuçit.

Trajneri i Kombëtares është një tifoz i madh i Grezdës dhe në deklaratën për gazetën “Scottish Sun” tha: “Eros është një element shumë i rëndësishëm i përfaqësueses shqiptare. Ai është i shpejtë, i drejtpërdrejtë në sulme dhe vë në lëvizje manovrat ofensive të ekipit. Paraqitjet dhe niveli i tij janë përmirësuar shumë prej transferimit në Kroaci tek Osijeku”.

Më tej, dy herë fituesi i Champions League deklaroi: “Di që ka patur shumë interes për Grezdën nga klube italiane dhe turke. Erosi është një lojtar shumë i mirë teknikisht dhe mund të shënojë gola të rëndësishëm. Një të tillë e realizoi për Kombëtaren në ndeshjen me Turqinë. Është ende i ri në moshë dhe mund të përmirësohet më tepër”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *