Ishte në dyshim për ndeshjen me Skocinë, që sonte luhet prej orës 20:45 në stadiumin “Loro Boriçi” të qytetit të Shkodrës. Eros Grezda udhëtoi dje me ekipin dhe gjatë seancës stërvitore u pa në fushë. Gjakovari pritet të jetë titullar dhe së bashku me Uzunin do tentojnë t’i shërbejnë Bekim Balajt, i cili do të jetë i pozicionuar në majë të sulmit.
Strakosha nuk e lëshon katërkëndëshin, ndërkohë që është zgjidhur edhe dilema për krahun e djathtë të mbrojtjes. Panuçi pritet t’i besojë Frederik Veselit, kurse pjesa tjetër e prapavijës është ajo e zakonshmja: dyshja Mavraj-Gjimshiti në qendër, kurse Binaku në të majtë.
Migjen Basha është i pezulluar dhe krah Xhakës dhe Memushajt mund të luajë Ergys Kaçe. Mesfushori korçar vjen nga një moment i mirë dhe trajneri italian i kombëtares ka vendosur ta shfrytëzojë.
SHQIPËRIA (Formacioni i mundshëm): Strakosha – Veseli, Gjimshiti, Mavraj, Binaku – Kaçe, Xhaka, Memushaj – Uzuni, Grezda; Balaj.