Gllasgou Rejnxhërs përballer nesër me ekipin e Dandi FC dhe për Eros Grezdën mund të vijnë minutat e para në futbollin skocez. Anësori ofensiv i kombëtares ka dalë në konferencë për shtyp në krah të trajnerit, Stiven Xherard, dhe flet për përshtatjen dhe emocionet e faktit që është pjesë e gjigantëve skocezë. Nëse Xherard do t’i besojë disa minuta, Grezda është gati për të dhënë më të mirën e tij.
“Po bëhen dy javë që jam këtu dhe jam shumë i lumtur që ndodhem këtu. I gjithë stafi është shumë profesionist dhe unë po punoj shumë mirë me ta. Më pëlqejnë shokët e ekipit dhe kënaqem duke luajtur me ta. Siç e thashë, jam shumë i lumtur që ndodhem në këtë ekip.
Të gjithë më kanë ndihmuar. Kur erdha këtu fillova të bisedoja dhe t’i pyesja për të mësuar gjithçka, sepse është një diferencë e madhe për mua të vij nga futbolli europian në futbollin britanik. Shokët më kanë ndihmuar në ditët e para, tani po përshtatem dhe gjithçka është ok.
Nuk jam akoma gati, por po punoj shumë për t’u rikthyer. Stafi vendos, por nëse do të luaj nesër, do të jap maksimumin tim dhe do bëj detyrën time”, përfundon 23-vjeçari nga Gjakova.