Greqia ka vendosur të ndryshojë trajnerin, pasi me Mikael Skibe në pankinë rezultatet kohët e fundit kanë munguar. Federata Greke e Futbollit (EPO), ka vendosur që ta shkarkojë gjermanin, pasi skuadra me të në Nations League nuk ka bërë mirë.
Humbja e fundit me Finlandën i nxori jashtë garës për vendin e parë dhe është parë e rrugës të bëhet një ndryshim. Skibe do t’i lërë vendin Anxhelos Anastasiadis dhe kështu pas tre vitesh Greqia ka një trajner të ri.
“Vendosëm t’i japim fund bashkëpunimit tonë me z. Skibe dhe në të njëjtën kohë është vendosur të emërojmë Anxhelos Anastasiadis. Vendimi i federatës, siç lehtësisht kuptohet, është rezultat i ecurisë së keqe dhe rezultateve të marra kohët e fundit”, u shpreh presidenti i federatës, Vanxhelis Gramenos.
Anastasiadis prej vitit 2016 nuk drejton një ekip, por ka një eksperiencë të gjatë prej vitit 1995. Ai ka drejtuar PAOK-un, Iraklisin, Panathinaikosin e PAS Janinë, ndërkohë që ka qenë për shtatë vite në krye të Qipros në periudhën 2004-2011. Greqi për herë të parë pas 17 viteve emëron një trajner grek që të mos drejtojë përkohësisht skuadrën, sikurse ka ndodhur në momente të caktuara gjatë këtyre viteve.