Goli me Flamurtarin “djeg”, tre titullarë shqetësojnë

Analizohet barazimi me vlonjatët në Shkodër, ndërkohë që mbetet për t’u parë situata e lojtarëve të dëmtuar në ndeshjen e së enjtes. Sot shihet gjendja e tyre

Gaspër Marku

Një barazim ndaj këtij Flamurtari, të cilësuar si ndër më të mirët e viteve të fundit, specialistët e futbollit shkodran nuk e konsiderojnë ndonjë mëkat për Vllazninë. Në analizën që i bëjnë takimit të luajtur te enjten në “Loro Boriçi”, konstatohet se skuadra kuqeblu nuk është se nuk zhvilloi volum loje, madje në tërësi kontrolli i lojës më së shumti i ka takuar shkodranëve. E ndëshkuar në vizitën e parë në portën e saj nga kundërshtari, Vllaznia i qahet gabimeve që vazhdon të ketë në prapavijë, duke i dhuruar gola ekipeve kundërshtare. Kjo ka qenë edhe pjesë e analizës që skuadra ka zhvilluar ditën e premte. Krah stafit teknik ka qenë edhe drejtori sportiv Eugent Zeka. Nga sa bëhet e ditur, më së shumti skuadra është ndalur te rasti i pësimit të golit, ku sipas drejtuesve, me një rreshtim më të kujdesshëm, duke nisur nga mesfusha, mbrojtja dhe portieri në dalje, do të kishte qenë më se i evitueshëm. Përpos rastit të pësimit të golit, janë analizuar edhe shpërdorimet në rastet përpara portës kundërshtare, ku në ndryshim nga Flamurtari që shënoi në të parin rast, Vllaznia has vështirësi të shumta për të gjetur golin. Megjithatë, në opinionin sportiv shkodran dhe më gjerë, ka pasur edhe vlerësime për lojën e kuqebluve, që përgjithësisht përcollën jo pak momente të bukura në fushën e lojës. Këtë e ka pohuar edhe vete tekniku Cungu në prononcimin për mediat pas ndeshjes, ndërkohë që e ka diskutuar me skuadrën edhe në minutat e analizës teknike të ditës së djeshme. Duke vënë në dukje, sidomos lojën me krahë, përfshirë edhe mbështetjen e mbrojtësve, Cungu ka kërkuar që këto veprime duhet të perfeksionohen edhe më shumë, në mënyrë që të jenë të pranishme në fushën e lojës edhe në ndeshjet e ardhshme, duke nisur nga ajo që do të luhet ditën e hënë në Kamzë.
INFERMIERIA
Ballafaqimi me vlonjatët në shtëpi ka lënë edhe pasoja. Si rezultat i lojës së fortë dhe përplasjeve në fushën e lojës, Çinari, Marku dhe Ribaj lanë fushën e lojës të dëmtuar. Madje, për njërin prej tyre, Çinarin, rasti i dëmtimit pati edhe një moment që haset rrallë në fushat e futbollit, pasi erdhi nga një përplasje me gjyqtarin Olsi Sokoli. Burime nga stafi mjekësor i kuqebluve bëjnë të ditur se që të tre futbollistët kanë përfunduar në infermieri, ndërsa gjendjen e tyre do shihet sot, nëse do ia dalin të stërviten.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *