Argjentina arriti të fitonte miqësoren me Meksikën me rezultatin 2-0. Mauro Ikardi dhe Paulo Dibala ishin autorët e golave, ndërsa ky ishte goli i parë me kombëtaren për sulmuesin e Interit.
Në një prononcim për “Ole”, Ikardi tregon emocionet e golit të parë me Argjentinën dhe frymën e qetë dhe pozitive që mbizotëron tek Argjentina. Skaloni dhe ndihmësit e tij po bëjnë një punë të madhe dhe po tregohen të aftë për të menaxhuar situatën.
Sulmuesi dhe kapiteni i Interit ndalet dhe te Leo Mesi, duke shpresuar që ylli i Barcelonës të rikthehet sa më shpejt në kombëtare.
“Goli më mungonte, po e prisja dhe jam shumë i lumtur. Për një sulmues nuk është e thjeshtë të qëndrosh pa shënuar, krijohen polemika dhe fliten shumë fjalë, por shpresoj të vazhdoj kështu. Jemi, me të vërtetë, një grup shumë i mirë. Mund të rritemi akoma dhe jemi të lumtur me punën e Skalonit, Samuelit dhe Aimarit. Të ardhmen e tyre e vendos Federata, por mund të them që në kombëtare ekziston një klimë, që nuk e kam parë më parë.”
“Ndihemi të gjithë rehat dhe është krijuar diçka e rëndësishme dhe shumë e bukur. Unë kam përjetuar dhe menaxhimin e mëparshëm, por nuk e kam parë miqësinë dhe bashkimin që është tani mes nesh. Të gjithë duan më të mirën dhe të përfaqësosh vendin tënd është një gjëja më e bukur. Mesi? Ai është më i miri në botë dhe të gjithë shpresojmë që të rikthehet me ne, sidomos duke patur parasysh që nis Kupa e Amerikës”, përfundon Mauro Ikardi.