Goditja ndaj Materacit, Zidan nuk është krenar

Zinedin Zidan nuk e ka bazuar suksesin e tij vetëm te dhuntitë e dhuruara nga Perëndia, natyra, fati apo rastësia. Legjenda e futbollit francez ka punuar fort, ka qenë gjithnjë serioz dhe mirënjohës për gjithçka që ka. Ai e ka nisur në një qytezë problematike, ka luajtur në rrugë, nuk është rritur “me gjitha të mirat”, por ka pasur fatin të ketë një partnere jete të jashtëzakonshme, familje të mirë dhe vullnet të madh.

Gruaja – Së fundmi, trajneri i Real Madridit ka qenë i ftuar në ceremoninë festive te 40-vjetorit te themelimit të programit francez “Telefoot”. Mes të tjerash, në intervistë Zizuja theksoi se ia dedikon gjithçka bashkëshortes së tij, prej të cilës ka përfituar shumë. “Ajo është ende gruaja ime e bukur. Më në fund kam mundësinë të flas për këtë temë, pikërisht sot. E dini? Ne jemi gjithmonë së bashku, kemi jetuar jetën tonë me njëri-tjetrin, pa ndalesa, pa ndarje. Shtigjet tona janë lidhur dhe kjo është gjëja më e bukur”, u shpreh Zidan. Kampioni i dyfishtë i Evropës gjithashtu theksoi se ata të cilët duan të krijojnë familje duhet të përpiqen ta bëjnë atë të funksionojë. Ai u mbyt në lot kur pa një dokumentar të realizuar për jetën e tij. Pas mbarimit të videos, tekniku theksoi se mban mend të mirat, jo të këqijat.

Prindërit – 45-vjeçari foli edhe për nënën dhe babain e tij, të cilët, sipas komenteve të tij, kanë qenë gjithmonë udhërrëfyes. “Babai im është shembull për mua. Kur të bëhesh prind, kur të kesh një jetë profesionale dhe një jetë të mirë, mendoj se e ke bërë mirë punën tënde. Ata na kanë edukuar mirë”, deklaroi francezi.

Materaci – Zidan nuk mund të mos fliste për goditjen me kokë ndaj Materacit në finalen e Kampionatit Botëror të vitit 2006. Nëse ish-mesfushori nuk do ta humbte durimin, ndoshta ajo ndeshje do të mbyllej ndryshe. Zizuja e pranoi se nuk ndihet krenar për atë veprim, por tashmë ka kaluar.  “Nuk jam krenar për këtë gjest, u kam kërkuar falje të gjithëve, por është pjesë e karrierës sime, jetës sime. Kam përshtypjen se është një nga ato gjëra që nuk janë të mira, por që duhet t’i pranosh dhe kaq”, përfundoi strategu.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *