Goditja e parë e Kamzës, firmos një mesfushor cilësor nga Brazili

Mesfushori ka mbërritur në kryeqytet dhe sot pritet të nënshkruajë me skuadrën e drejtuar nga trajneri Ramadan Ndreu

Vladimir Prenga

Kamza i rikthehet sot përgatitjeve, ndërkohë që veç punës së stafit teknik në fushën e blertë, një pjesë shumë e rëndësishme është edhe ajo çka drejtuesit e klubit do të bëjnë për të përforcuar skuadrën, pasi deri më tani janë larguar shumë lojtarë titullarë, që vjet dhanë një kontribut të vyer në rikthimin e Kamzës në Superiore. Drejtuesit e klubit e dinë shumë mirë se ata lojtarë duhen zëvendësuar dhe po përpiqen të bëjnë disa afrime cilësore në skuadër.

“Jemi në bisedime me disa futbollistë, por për momentin nuk kemi diçka konkrete që të themi se ky apo ai lojtar do të vijë”, të thonë në klub kur pyeten për merkaton. Trajneri Ndreu e di shumë mirë se për të përballuar një kampionat mjaft të vështirë si Superiorja duhen prurje cilësore. Eksperiencat e tij te Kastrioti, apo te Laçi së fundmi, ia kanë mësuar më së miri diçka të tillë, ndaj së bashku me presidentin Qarri, gjithashtu edhe me përkrahjen e kryebashkiakut Xhelal Mziu, po punojnë intensivisht për të bërë afrimet e para në ekip dhe kjo javë pritet të sjellë të reja.

BRUNO ARRABAL

25-vjeçari brazilian do të jetë afrimi i parë i Kamzës, teksa mësohet se sot ai do të nënshkruajë me Kamzën, pasi e ka arritur më parë akordin. Arrabal luan si mesfushori qendror, por mund të luajë edhe në prapavijë. Pas eksperiencave në Serinë C braziliane, mesfushori u transferua në Europë dhe prej dy sezonesh luan te Etnikos Akna, ku ka zhvilluar paraqitje të mira. Arrabal ka mbërritur dje në kryeqytet dhe pritet të vihet nën urdhrat e trajnerit Ramadan Ndreu, që pret “dhuratat” e drejtuesve. Braziliani është afrimi i parë i Kamzës, ndërkohë që pritet të ketë afrime të tjera të rëndësishme.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *