Mbrojtësi i formacionit korçar nuk e vë në diskutim titullin kampion, pasi është i bindur në aftësitë e grupit ku bën pjesë
Leonard Trebicka
Gledi Mici luan sezonin e dytë me Skënderbeun dhe deri tani, si shumë nga lojtarët e këtij ekipi, edhe ai ka sakrifikuar shumë, duke mos pushuar në asnjë ndeshje. Mbrojtësi i krahut të majtë, mjaft i kënaqur për veten dhe ekipin, shprehet i sigurt se Skënderbeu po ecën me ritmin e duhur drejt titullit kampion. Ai pohon se rivalët thjesht duhet të mendojnë për vendin e dytë, pasi i pari është i Skënderbeut. Ndeshjen në Vlorë e mendon shumë të vështirë, pasi e njeh mjaft mirë ambientin, por beson për një tjetër 90-minutësh pozitiv për ekipin e tij. Ja dhe intervista e plotë e Micit për “Sport Ekspres”:
– Mici, e keni mbyllur fazën e parë me 7 pikë diferencë nga vendi i dytë…?
– Një fazë e parë perfekte. Kemi marrë maksimumin në këto 9 javë të para. E rëndësishme është që kemi fituar 8 ndeshje dhe kemi vënë autoritetin tonë në këtë kampionat. Nuk kemi asnjë humbje.
– A mund ta ruajë Skënderbeu këtë ritëm, mund të ketë ndonjë moment “jo” për këtë skuadër?
– Normalisht, mund të vijë edhe ky moment “jo”, sepse futbolli i tillë është. Shpresoj të jetë sa më larg dhe të jemi të shkëputur, kur të gabojmë. Kam shumë besim se edhe fazën e dytë, që starton pas pak ditësh, do të vazhdojmë me këtë ritëm, madje me një “marsh” më shumë dhe për këtë ju garantoj.
– Për ju ka qenë një paraqitje pozitive dhe duket se e keni “blinduar” krahun e majtë të mbrojtjes. Jeni i kënaqur me veten?
– Thjesht më vjen mirë që ekipi po funksionon dhe të gjithë, jo vetëm unë, po përpiqemi të bëjmë punën tonë, asgjë më shumë se kaq. Jam shumë i kënaqur me paraqitjet që kam bërë deri tani. Uroj të mbajmë këtë ritëm.
– Me 25 pikë në 9 javë duket se po ecni të sigurt drejt titullit kampion, edhe pse janë edhe shumë ndeshje përpara…
– Mirë do të ishte t’i kishim edhe ato dy pikë që na mungojnë, por mendoj se shumë rëndësi ka fakti që nuk kemi asnjë humbje. Po ecim me hap kampioni dhe patjetër që në fund do të jemi ne kampionët. Por nuk është se kemi bindur vetëm me pikët, kemi bindur edhe me lojë.
– Për trajnerin Daja, bashkëpunimi në grup ka sjellë suksesin te Skënderbeu. Po për ju?
– Edhe unë jam i këtij mendimi. Profesori na ka bashkuar të gjithëve dhe kjo nuk është pak, por shumë e rëndësishme te një skuadër.
– Po për paraqitjen në Europë, çfarë mendimi keni?
– Thjesht puna që kemi bërë dhe eksperienca na ka bërë të luajmë pa frikë ndaj çdo kundërshtari. Kemi qenë të barabartë me të gjithë kundërshtarët, edhe pse janë emra të mëdhenj. Kemi treguar realisht se kush është Skënderbeu. Me pak fjalë, jemi rritur shumë.
– A mund ta kalojë Skënderbeu grupin, pas humbjes me Partizanin e Beogradit?
– Në këtë moment nuk kemi asgjë në dorë ne. Nëse Partizani i Beogradit fiton ndaj Jang Bojs ndeshjen e radhës, atëherë gjithçka mbyllet për sa i përket kalimit më tej. Por, nëse nuk ndodh, atëherë edhe ne më pas do të ëndërrojmë dhe do ta kemi të drejtë të shpresojmë.
– Kampionati rikthehet të mërkurën në Vlorë ndaj Flamurtarit. Si e mendoni këtë ndeshje?
– Një ndeshje shumë e vështirë. Fusha e Vlorës gjithmonë është e vështirë, plus që Flamurtari po kalon një moment shumë të mirë. Përpos këtyre, kemi vetëm një objektiv dhe do të udhëtojmë drejt Vlorës vetëm për tri pikët.
– Disa futbollistë kanë luajtur pa pushim te Skënderbeu, siç është edhe rasti juaj. Si ndiheni në këtë moment?
– Të them të drejtën, jam shumë më mirë nga ç’mund ta mendoja. Kur luan shumë ndeshje je në ritmin e duhur dhe nuk e ndjemë lodhjen. Gjithsesi, rifituam energji pas dy ditëve të pushimit dhe tani kemi kohë të përgatitemi deri të mërkurën e ardhshme. Një periudhë kjo pushimi që në fakt na duhej.
– A mund të themi se kjo është periudha më e mirë për ju?
– Deri në këtë moment shifrat tregojnë se është periudha më e mirë, duke përfshirë edhe Europën. E rëndësishme është që të vazhdojmë me këtë ritëm.
– Cilën skuadër mendoni se do të keni rivale deri në fund?
– Besoj se Kukësi, Flamurtari, por edhe Partizani, sepse mund të ringrihet. Sigurisht që këto skuadra do të vijnë pas nesh, pasi vendin e parë e ka të sigurt Skënderbeu. Jemi mësuar me ngarkesën nga ndeshjet dhe nuk e kemi më problem. Sigurisht që do t’i japim një “marsh” më shumë fazës së dytë që pas dhjetorit të jemi më të qetë, pasi titullin kampion do ta kemi më pranë.