Gjyrezi: Barazimi në Durrës na ndihmoi, në Vlorë për të marrë pikë

Administratori i Vllaznisë: Fitorja me Laçin na jep pak qetësi. Barazimi i Teutës me Kamzën na shkon përshtat. Nuk ka mbaruar asgjë

Gaspër Marku

Shkodra dhe shkodranët janë të ndjeshëm sa i përket sportit. Një humbje apo fitore e skuadrës së tyre të zemrës Vllaznia bën që gjendja e tyre morale-psikologjike të preket. Ashtu siç ndodhi edhe në dy javët e mëparshme me humbjet e njëpasnjëshme të pësuara nga Teuta dhe Luftëtari, të cilat me të drejtë përkeqësuan jo pak gjendjen shpirtërore të tifozërisë shkodrane, duhej të vinte kjo fitore me Laçin që gjërat të nisin e të marrin për mirë. Ndonëse në një farë mënyre në fitoren e kuqebluve pati edhe jo pak vuajtje, sidomos në pjesën e dytë të takimit, e përgjithshmja është mjaft pozitive për javën e 31-të të Superligës së futbollit shqiptar. Duke përfituar edhe nga barazimi i dy pretendenteve, Teuta dhe Kamza, Vllaznia shkëputet nga durrsakët dhe i ofrohen ndjeshëm kamzalinjëve. Kjo ka bërë që atmosfera në qytetin verior të normalizohet për momentin, ndërkohë që duke shpresuar se edhe në javët e ardhshme rezultatet do të vijojnë të jene të tillë, kanë filluar të besojnë shumë tek mbijetesa.

Fitorja ndaj Laçit, krahas opinionit sportiv që ka dhënë një impakt shumë pozitiv  në rikthimin e besimit të qëndrimit në Superiore, natyrshëm që të njëjtën gjë ka përcjellë edhe tek drejtuesit e klubit kuqeblu dhe deri tek ato të Bashkisë Shkodër. Në prononcimin e dhënë për “Sport Ekspres”, administratori i Vllaznisë, Astrit Gjyrezi, nuk i kursen komplimentet ndaj skuadrës kuqeblu. Ai përgëzon futbollistët dhe stafin teknik për përkushtimin dhe seriozitetin maksimal të treguar gjatë javës së kaluar, gjë që u shpërblye me rikthimin tek fitorja. Fitoren ndaj Laçit, Gjyrezi  e cilëson të vështirë, por me shumë vlera për vazhdimësinë e garës. “Patjetër, kjo fitore u donte për ekipin e Vllaznisë, ishte jashtëzakonisht e domosdoshme, shpresojmë që të vazhdojmë me fitore të tjera”, – thotë Gjyrezi. Ai shpreson që me këtë fitore të ketë ardhur edhe kthesa e Vllaznisë. Sipas tij, kjo fitore ishte e domosdoshme, sepse ishte hapi i parë që duhet të bënim pas goditjeve psikologjike të marrë me dy humbjet e mëparshme.

ANALIZA  – Përpos përgëzimeve dhe komplimente për marrjen e tri pikëshit, teksa bën në një farë mënyre edhe analizën e ndeshjes, Gjyrezi ndalet edhe tek luhatja që skuadra pati në pjesën e dytë kur skuadra mike, edhe pse me një futbollist më pak kreu volum në portën e Vllaznisë. “Po, ndodh edhe ndonjë herë që kur ekipet janë me nga një lojtar më pak të mobilizohen, karikohen më shumë dhe japin maksimumin në fushë, e njëjta gjë ndodhi edhe me Laçin. Megjithatë, rëndësi ka fitorja dhe pikët që ishin të domosdoshme”,-shprehet Gjyrezi.

ORELESI – Është folur shumë për Orelesin gjatë këtyre ditëve, akuza dhe sqarime nga ana e klubit në lidhje me këtë futbollist, ndërkohë që duke qëndruar në stol si asnjëherë tjetër u la shteg për të vijuar akoma më shumë diskutimet. I gjendur përballë kësaj situate, administratori Gjyrezi jep sqarimet e duhura. “Të gjitha janë spekulime, nga faqja zyrtare e klubit është bërë një sqarim, janë dashakeqësi, kushdo që i bën të tilla gjëra për Vllazninë, jo për Orelesin, por cilindo lojtar të ekipit. Nuk është momenti që askush të jap opinione që janë dashakeqe dhe që prishin klimën brenda ekipit. Ne kemi nevojë për secilin lojtarë dhe kontributin e tij maksimal. Orelesi nuk ka patur asgjë, është ruajtur nga trajneri, kemi lojtarë me nga tre kartonë, duhet të kemi parasysh qendra e mbrojtjes dhe reparte të tjera. Ai ishte në pankinë, i gatshëm për lojë, por sipas nevojave që stafi teknik do ta përcaktonte. E kemi sqaruar edhe zyrtarisht nga klubi që Orelesi pak ditë më parë ka pasur një procedurë sipas rregullave të shtetit për leje pune që i skadonte meqë e kishte që në kohën e Skenderbeut dhe ne ia kemi rinovuar. Ai sot ka për Shqipërinë një leje pune dy vjeçare”, -vjen sqarimi i administratorit Astrit Gjyrezi për këtë futbollist.

SKUADRA E RE – Gjithnjë duke marrë shkas nga nigeriani, rinovimi i lejes të të cilit të lë të kuptosh se kanë nisur tratativat për ndërtimin e Vllaznisë së re, të asaj që do të përfaqësohet sezonin e ardhshëm futbollistik. Por, kësaj pyetje, Gjyrezi i përgjigjet paksa si tërthorazi. “Ne kemi bërë një hap ligjor dhe të detyrueshëm të këtij sportisti që ndodhet tek Vllaznia dhe për secilin lojtar të ekipit të Vllaznisë që klubit i lë mundësinë të bisedojë dhe të ulet në tavolinë”, -thotë Gjyrezi. Megjithatë, duke vijuar të flasë për këtë teme, që i përket  çështjes organizative, pra nëse kanë filluar projektet për ndërtimin e Vllaznisë së re, zyrtari i klubit kuqeblu përgjigjet: ”Të mbarojnë kampionati dhe pas përfundimit të kampionatit do të diskutohen të gjitha gjëra. Shpresojmë njëherë që të mbarojmë këtë mbijetese, të jemi me mendje të kthjellet dhe të qetë dhe mandej të bisedojmë për më tepër”.
RIVALËT – Ndonëse nuk dëshiron shumë të komentojë rivalët, Gjyrezi nuk i shmanget përballjes së Teutës me Kamzën që konsiderohen rivalë kryesore të Vllaznisë për mbijetese. “Ne kemi bërë tifo vetëm për Vllazninë, sepse na intereson vetëm Vllaznia. Unë e kam thënë vazhdimisht, ne duhet të bëjmë punën tonë, të shohim rezultatet tona, me të tjerët pastaj  si të shkojnë gara. Barazimi ishte i pëlqyeshëm”. FLAMURTARI – “Barazimi i rivalëve direkt na jep mundësi të shkëputemi nga Teuta, e rëndësishme është që tashmë të punojmë fort dhe që menjëherë të përqendrohemi për ndeshjen e radhës me Flamurtarin. Shpresoj që të vazhdojmë me këtë ritëm dhe me tri pikëshat e nisur. Synimi ynë është të rikthehemi tek fitoret e mëparshme që ishin pjesë e punës sonë. Siç e kam thënë edhe here të tjera, për ne çdo ndeshje është një finale më vete. Ky është motivi ynë, duhet të punojmë fort që të marrim maksimumin në secilën ndeshje, sipas kalendarit që kemi. Normal që fusha e Vlorës është një fushë e vështirë, ka një ekip të fortë, megjithatë ne do të shkojmë për të marrë pikë në Vlorë”, – përfundon për “Sport Ekspres”, zyrtari i klubit kuqeblu, Astrit Gjyrezi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online