Gjykimi, tani është vërtet për “SOS”!

Janë luajtur katër javë kampionat dhe është alarmante gjendja e kësaj hallke të rëndësishme në futboll. Penalltia e djeshme e Metës ishte kulmi

Federata Shqiptare e Futbollit është në një hall të madh për momentin sa i takon gjykimit. Problematika e gjykimit është mjaft e madhe, jo vetëm se ka pak gjyqtarë, për edhe ata që janë po gabojnë sistematikisht. Sinjali “SOS” është lëshuar pas asaj që ka bërë dje kryesori Kridens Meta, në ndeshjen ku gabimi arbitrar ishte i ndaluar për vetë historinë që mbartte si ndeshje. U zgjodh një gjyqtar me shumë përvojë, por edhe ai e ‘menderosi’, duke imituar dashje pa dashje kolegun e tij Enea Jorgji me një penallti komike, pa harruar një penallti neto në favor të Skënderbeut më herët, që nuk u akordua. Vërtet ka arritur kulmi dhe ky sektor duket se kërkon një “bisturi” të menjëhershme, pasi duket se ka dalë jashtë kontrollit. Nuk është fjala vetëm për ndeshjen e djeshme, por në përgjithësi për kampionatin, ku gjykimi paraqet një problem më vete, madje shumë të madh.

Së pari, është shumë e vështirë të gjesh një gjyqtar të zotin për ndeshje të rëndësishme si kjo Kukësi-Skënderbeu. Lorenc Jemini është pezull, Andi Koçi, edhe pse është “falur”, nuk po merr ndeshje të tilla, Enea Jorgji, i vetmi ndërkombëtar për momentin, po gjykon ndeshje të dorës së dytë, pasi Skënderbeut nuk ka më fytyrë t’i dalë përpara. Mbeten vetëm Juxhin Xhaja, Eldorjan Hamiti, Klajdi Kola e ndonjë tjetër. Por nuk mund të gjykojë çdo ndeshje Xhaja. Hamiti gaboi që në javën e parë dhe këtë javë u rikthye në gjykim, kurse Kola etj, nuk japin siguri për të tilla ballafaqime. Zgjedhjet për gjyqtarët kufizohen ndjeshëm, duke ditur që dendësia e ndeshjeve është madhe. Ne federatë e kanë kuptuar këtë gjë dhe janë në hall të madh, pavarësisht se bëjnë sikur po menaxhojnë gjithçka me qetësi, duke promovuar madje edhe gjyqtarët e rinj. Për këtë arsye ka çdo javë “bëma” të tyre dhe kur e bën edhe Kridens Meta dhe në një ndeshje të monitoruar të katër anët, atëherë është momenti për të lëshuar alarmin, sepse kështu nuk mund të vazhdohet.

Me gabimet njerëzore të gjithë janë të lodhur tashmë dhe askush nuk beson më për të tillë. Ka vetëm dy mundësi: gjyqtarë të paaftë ose gjyqtarë të korruptuar. Për të dy rastet është përgjegjëse vetë FSHF-ja dhe është vetë ajo që duhet t’i dalë për zot këtij problemi, që tani shqetëson më shumë se kurrë në futbollin shqiptar. Të shohim sa do të dënohet Meta…   

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *