Veç Abrashit, një tjetër lajm i keq për Panuçin, që përpara miqësores ndaj Norvegjisë, ka humbur edhe Frederik Veselin, i cili u dëmtua në sfidën përballë Virtus Entelës në fundjavë
Pikërisht në momentin e tij më të mirë, Amir Abrashi detyrohet që të rifutet në “bokse”, ashtu siç edhe bëri në fillim të sezonit, kur u desh më shumë se një muaj që të riaftësohej. Por, këtë herë dëmtimi është edhe më i rëndë dhe ndoshta më seriozi në karrierë.
Pas ndeshjes përballë Hertës së Berlinit, sipas analizave mjekësore, lojtari kuqezi ka këputur ligamentin e kroçiatit të gjurit të djathtë dhe, sipas komunikatës së klubit, 27-vjeçari ka mbyllur sezonin. i pafat Abrashi, që këtë sezon ka luajtur vetëm 12 ndeshje nga 26, praktikisht as gjysmën e sezonit jo.
Ai u dëmtua në minutën e 26-të të ndeshjes përballë Hertës dhe u kuptua menjëherë se dëmtimi nuk do të ishte i lehtë. Ndërkohë, ky është një lajm i keq edhe për Kristian Panuçin, i cili nuk duhet ta llogarisë për miqësoren ndaj Norvegjisë por, nëse respektohen parashikimet (pra, 6-7 muaj jashtë), lojtari pritet të mungojë edhe ndaj Izraelit, në sfidën e parë të Kupës së Kombeve (Nations League), më 7 shtator. Sepse, pritet që Abrashi të jetë gati për tetorin e ardhshëm, ndërsa do të kryejë edhe operacionin këto ditë.
Veç Abrashit, një tjetër lajm i keq për Panuçin, që përpara miqësores ndaj Norvegjisë, ka humbur edhe Frederik Veselin, i cili u dëmtua në sfidën përballë Virtus Entelës në fundjavë, në Serinë B.
Mbrojtësi, sipas njoftimit zyrtar të klubit toskan, pritet të mungojë të paktën 2 javë për shkak të një tërheqje të shkallës së parë. Ai u dëmtua në momentin e golit të ekipit kundërshtar, duke kërkuar zëvendësimin më pas. Do të mungojë për sfidën përballë Venecias, teksa sipas komunikatës së Empolit, edhe për ndeshjen Shqipëri-Norvegji.