Ernest Gjoka ka fituar tashmë një çështje me Flamurtarin dhe pret 49 mijë euro nga Federata Shqiptare e Futbollit. Kjo e fundit, në bazë të rregullores së aprovuar para pak muajsh, ka vendosur që tani e tutje do të bllokojë vetë llogaritë e klubeve dhe do të shlyejë nga fondi i saj borxhet, për të evituar heqjen e pikëve në renditje. Tashmë Gjoka pret vetëm lëvrimin e shumës që i detyrohet Flamurtari, apo Federata, sepse realisht ajo i detyrohet Gjokës tani e tutje. Nga Federata informacioni që ka marrë “Sport Ekspres” është se pagesa ndaj Gjokës do të kryhet së shpejti, sapo të ndahen paratë e së drejtës televizive për sezonin e ri. Duke qenë se aktualisht llogaria e Flamurtarit në FSHF është bosh, Federata do të mbajë paratë e klubit vlonjat nga e drejta televizive.
Ndërkaq, trajneri kampion në fuqi, tashmë pa ekip pas divorcit me Kukësin, ka depozituar padinë e re në ngarkim të Flamurtarit. Bëhet fjalë për kontratën e dytë me Flamurtarin, atë pas kalimit të Flamurtarit në duart e administratorëve turq. Gjoka qëndroi pak muaj në Vlorë dhe u largua në tetor 2014, duke mos marrë 26 mijë euro që i takonin. Që atëherë, vetëm bisedime, mesazhe dhe heshtje, nga Vlora asnjë reagim prej shumë kohësh. Kjo ka bërë që Gjoka të mos durojë më dhe tashmë është paraqitur në FSHF. Avokati i tij ka dorëzuar padinë ndaj Flamurtarit dhe tashmë i mbetet FSHF-së të procedojë.
Natyrisht, do të duhet sërish një kohë e gjatë, duke pasur në mendje atë që ndodhi me gjyqin e parë, sepse do të ketë seancë pajtimi (zor se ndodh), vendim, apel e ndonjë kërcënim të ri për apel në KAS, por duket e sigurt që Gjoka do ta fitojë edhe këtë çështje dhe sërish “makineria” e FSHF-së do të vihet në lëvizje, duke paguar vetë, sepse Flamurtari zor se e “vë ujin në zjarr”. Këtë radhë duket se “gjoba” në kurriz të Flamurtarit do të shtohet edhe nga përqindjet e kamatvonesës.