Trajneri i Vllaznisë, Ernest Gjoka, ka qenë i dëshpëruar pas humbjes ndaj Flamurtarit, pasi skuadra e tij luajti realisht mirë dhe me pak fat mund të merrte pikë, por u godit që në fillim dhe në fundin e ndeshjes, kur po sulmonte me të gjitha forcat.
“Pavarësisht nga humbja, mendoj se futbollistët e mi dhanë maksimumin, në këtë terren dhe në këtë mot. U përpoqën dhe u munduan të barazojnë, por vazhdojmë të gabojmë, sidomos në situata standarde.
“Merkatoja si zgjidhje? Nuk është çështje merkatoje, është pozicioni në renditje që frenon skuadrën dhe nuk po arrijmë të shprehemi në maksimum. Kjo skuadër ka potencial dhe mund të bëjë shumë më mirë se kaq. Besoj se mund të përmirësohemi në rezultate dhe të shkojmë larg fundit të tabelës, por duhet më shumë qetësi e besim në vetvete.
“E nisëm ndeshjen në disavantazh, u munduam shumë dhe në pjesën e dytë skuadra u rrit ndjeshëm, por nuk krijojmë raste para porte. Futbollistët e Vllaznisë po japin maksimumin, ndoshta për momentin kaq i kemi mundësitë.
“A ka ndonjë ndryshim skuadra në këto dy muaj? Së pari, kam më pak se dy muaj, së dyti ndryshim ka. Dalim në shumë raste para porte, por nuk arrijmë të konkretizojmë.
“Rendimenti i disa lojtarëve nuk po ngjitet ku duhet? Nuk është aty problemi, nuk është se Vucaj, Hasani e Lika nuk arrijnë ta tërheqin skuadrën, shpesh ka ndërrime që bëhen edhe për arsye taktike.
“Penalizim për lojtarët, për ecurinë e dobët? Jo, nuk zgjidhet asgjë duke penalizuar lojtarët, jam kundër këtyre metodave. Për mua nuk motivohet lojtari duke u penalizuar. Përveç kësaj, më duket se lojtarët po e japin maksimumin e tyre dhe nuk e ndihmon skuadrën penalizmi, duke shtuar edhe më shumë presionin”.