Gjoka: Ja çfarë ma lehtësoi rikthimin, stili im kërkon… dy sulmues

Kukësi do të presë nesër në “Elbasan Arena” Flamurtarin, në një sfidë të rëndësishme për të dyja skuadrat, rivale direkte për një vend në kupat e Europës, nëse shohim renditjen. Në prag të ndeshjes kundër njëprej ish-skuadrave që ka drejtuar ka folur trajneri i verilindorëve, Ernest Gjoka, i cili e ka cilësuar takimin e nesërm mjaft delikat dhe ka shtuar se Flamurtari është një kundërshtar që duhet vlerësuar.

“Kemi ndeshje shumë të vështirë duke parë kundërshtarin. Flamurtari është një ekip me emër në futbollin shqiptar. Është një ekip me disa lojtarë që kanë cilësi brenda dhe me një trajner kampion. Kështu që shkalla e vështirësisë rritet në këto kushte.”

“Një nga gjërat kryesore të rikthimit tim në shtëpi te Kukësi është se këtu kam lënë një mentalitet dhe një ide, që për të shkuar drejt suksesit duhet të bëjmë mirë. Para dy vitesh bëmë shumë mirë dhe me sa duket ajo ka ndikuar pozitivisht në ardhjen time përsëri këtu dhe grupi u përshtat menjëherë. Ndoshta edhe lojtarët që kam pasur në dispozicion i kanë thënë pjesës tjetër të skuadrës se si punoj unë. Kjo më ndihmoi shumë. Nuk ndryshuam ndonjë gjë të madhe. Më shumë u mundova të ndryshoj gjendjen psikologjike, aty ku ka pasur një ngërç. Kukësi ka një ekip me cilësi, këtë e dimë të gjithë.”

“Nuk është kaq e lehtë të interpretosh gjërat që do. Është ideja e bashkëpunimit në grup. Gjërat ndryshuan dhe uroj që të vazhdoj kështu. Kukësi është një ekip që është projektuar që në fillim për titullin kampion. Po kërkojmë të luftojmë deri në fund të kampionatit, duke e vënë në trysni Partizanin. Sigurisht duam të bëjmë dhe një shkëputje dhe të jemi të qetë në pozicionin ku jemi.”

“Nuk e mendojmë humbjen. Mendojmë të bëjmë performancën tonë dhe të marrim rezultat pozitiv. Ndeshjet e futbollit janë të paparikueshme, por ne do hymë në garë me idenë pozitive për të arritur objektivin tonë.”

“Musolli i ka kaluar testet, si fizike ashtu edhe psikologjike. Mendoj që është gati. E kaloi testin në ndeshjen ndaj Laçit me eksperiencën dhe shpirtin e garës që ka. Kështu që nesër them se do të jetë titullar.”

Rikthimi i Musollit – “Shumë i rëndësishëm. Që në momentin e parë që erdha në skuadër, pasi u mbështeta menjëherë te Musolli, te Shameti apo te Rrumbullaku që ma njohin shumë mirë atë që unë kam në kokë. Edhe për skuadrën gjithashtu, nga cilësia si njeri, Musolli ka shumë rëndësi për skuadrën. Është një lider.”

“Dëshira ime si trajner është të kem dy sulmues në fushë dhe për mua është fat që i kam të dy. Sigurisht që duhet të përshtaten shumë shpejt sepse janë dy lojtarë me karakteristika të ndryshme. Nëse Shkurtaj është potent, Rexhinaldo është i shpejtë dhe shumë i shkathët. Mua më takon që të gjejmë sa më shpejt gjuhën e përbashkët që ata të bashkëpunojnë dhe të japin produktin për skuadrën.”

“Skuadra më ka pritur shumë mirë. Si Cuculi, si Rama, si lojtarët e tjerë më kanë pritur me shumë ngrohtësi. Kjo gjë më ka dhënë një optimizëm shumë të madh. Me grupin jemi njohur dhe duket sikur kemi punuar më gjatë se kaq.”

“Ne duhet të jemi koshient ku punojmë dhe ku jetojmë. Nuk jemi në mentalitetin anglez. Ne jetojmë në një vend si Shqipëria, ku gjërat duhen bërë shpejt dhe produkti duhet marrë shpejt. Ky është risk për ne, por është diçka që po mësohemi. Gjithsesi, përderisa vijmë në një skuadër që kërkon trofe, kemi marrë parasysh gjithçka. Shpresoj që ta hapim kampionatin dhe të shkojmë të finale të Kupës, pse jo të kërkojmë dhe trofeun. Nuk ka pse të më shqetësojë trysnia e presidentit, sepse tashmë të gjithë e dimë që presidenti Gjici kërkon të fitojë çdo gjë. E kam pranuar këtë kusht dhe shpresoj që të shkojmë aty ku kërkon presidenti.”

“Të bësh një punë të mirë duhet të kesh një grup afatgjatë. Ky grup i ka mundësitë që së bashku me dëshirën e presidentit Gjici do ketë mundsi t’i mbajë për vitin tjetër edhe në rast se unë do të jem vitin tjetër, grupi i ka të gjitha mundësitë për të shkuar larg.”

“Rënia te Vllaznia nuk ishte rënie. Të gjithë e dinë se çdo të thotë Shkodër. Te Kamza ishte një aventurë e shkurtër. Shkova për të bërë mirë, por gjërat nuk shkuan mirë. Puna e trajnerit nuk është të marrë gjithmonë ekipe elite. Puna jonë është të jemi vazhdimisht në punë, të sakrifikojmë dhe të ecim përpara. Kam nisur punën timë që 29 vjeç. Nuk është vlerësimi i punës time në një skuadër. Puna vlerësohet nga vitet që ka bërë dhe produkti që ka dhënë.”

“E vlerësoj shumë punën e trajnerit Daja, pasi në të njëjtën situatë kam qenë në sezonin 2013/2014. Patëm shumë probleme financiare, por falë Zotit grupi e menaxhoi mirë dhe morën dhe një trofe. Janë momente shumë të rrezikshme, sepse në një moment një skuadër mund të shpërbëhet totalisht dhe në një moment mund të kthehet shumë e rrezikshme në kampionat. Kjo është për t’u vlerësuar shumë dhe duhet ta kemi shumë kujdes Flamurtarin. Është një rast unik në futbollin shqiptar. Po e vlerësojmë shumë, pasi Flamurtari nuk ka çfarë të humbë.”

“Është një problem i madh. Mendoj që Kukësi në qoftë se ka kaq shumë pikë minus nga vendi i parë, është edhe nga handikapi i stadiumit. Është gjë tjetër të luash në qytetin tënd dhe tjetër gjë të luash si një ekip që nuk ka qendër të vetën. Është problem shumë i madh, prandaj edhe presidenti Gjici ka menduar të bëjë këtë ekip me cilësi, që ky ekip të përballojë edhe këtë problem.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *