Gentjan Gjoka, presidenti i Turbinës prej 13 vitesh, ka dalë me një deklaratë dhe ka pakënaqësi ndaj Bashkisë së Cërrikut. Numri një i klubit deklaron dorëheqjen, ndërkohë që ka edhe akuza për kryebashkiakun Altin Toska.
“E ndiej si detyrim moral të ndaj dy fjalë me ju tifozët e ekipit dhe të gjithë dashamirësit. Unë, presidenti i klubit Turbina, jap dorëheqjen për arsye se kryetari i bashkisë dhe larot e tij që duan të vjedhin 5 mijë lekësha dhe të abuzojnë edhe aty ku nuk duhet, nuk ndjekin strategjitë e mia për të shpëtuar ekipin prej rënies nga kategoria”, shprehet fillimisht Gjoka, përmes një deklaratë të shpërndarë për mediat.
“Më vjen keq se kam 13 vjet që jap djersën për këtë klub dhe të gjithë e dinë se në çfarë gjendje e mora ekipin dhe ku e çova. Gjithçka e kam bërë pa pasur as përfitimin më të vogël, vetëm e vetëm për nder të atij qyteti ku jam rritur dhe në nder të babait tim. Ju uroj më të mirat, por e shoh shumë të vështirë për aq kohë sa aty do sundojnë njerëz që mendojnë vetëm për xhepat e vet dhe larot që u rrinë nga pas”, shprehet Gjoka.
Turbina është shoqëri aksionere dhe presidenti Gjoka ka 60% të aksioneve, kurse pjesën tjetër Bashkia Cërrik. Bashkëpunimi mes palëve është i ngrirë tashmë dhe kjo konfirmohet qartazi nga deklarata e bërë prej numrit një të klubit cërrikas.