Gjoka i përgjigjet Shtubinës: Nuk jam shkodran, por jam profesionist

Ndriçim Shtubina lëshoi një deklaratë të fortë sot për TV1 Channel, duke sulmuar hapur trajnerin Ernest Gjoka, që më sa duket sipas Shtubinës ka ndikuar që mesfushori të mos kthehet në Shkodër këtë janar, pas largimit nga Kukësi. “Unë them se disa emra lojtarësh që përmenden në gazeta e nëpër portale, të kenë kujdes sepse nuk janë për Vllazninë. Flas ngaqë unë e dua Vllazninë dhe mund ta jap edhe ndonjë këshillë, por gjithsesi ndoshta ata nuk e duan mendimin tim. Ka ish-futbollistë që mund ta japin një mendim për blerjet. Unë mund të thosha që mos t’ia lënë çdo gjë trajnerit, sepse trajneri nuk është shkodran dhe nuk i djeg shumë për Vllazninë”, ishte një pjesë e deklaratës së Shtubinës.

“Sport Ekspres” ka kontaktuar trajnerin e Vllaznisë për një reagim, por Gjoka është munduar të evitojë polemikat, duke u përgjigjur shkurt kryesisht për dy tema: “Nuk ka arsye të merrem me replika, secili thotë atë që mendon. Dua vetëm të sqaroj diçka: merkaton nuk e bëj unë, nuk e kam bërë asnjëherë dhe nuk kam kërkuar askund ta bëj. Atë e bëjnë drejtuesit dhe ata me sjellin emrat që kanë si mundësi për të afruar, ndërsa unë zgjedh ata që më duken të përshtatshëm për skuadrat e mia. Kështu ka funksionuar në çdo klub ku kam punuar.

“Sa për pjesën që nuk jam shkodran, ndaj nuk më djeg shumë për Vllazninë, mund të them kaq: vërtet nuk jam shkodran, por tani ndihem shkodran dhe e dua suksesin e Vllaznisë si gjithë shkodranët. Unë jam profesionist, në radhë të parë, ndaj Vllaznia është shqetësimi im kryesor dhe i vetëm, sepse suksesi i Vllaznisë është edhe i imi, në çdo drejtim. Më duket e gabuar të merremi me përkufizime të tilla, shkodran apo jo, sepse trajneri është i pari që e do suksesin e skuadrës, për gjithë arsyet e mundshme”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *