Kamza u ndal pas dy rezultateve pozitive dhe doli pa pikë nga transferta e Vlorës. Djemtë e Gjokës u ndëshkuan nga një gol i vetëm dhe kamzalinjtë mbeten të parafundit me 12 pikë.
Ernest Gjoka ka folur në emisionin “Gol pas Goli” në “SuperSport”, duke komentuar duelin e sotëm. Trajneri vlerëson paraqitjen e ekipit të tij, por mungesa e dy qendërmbrojtësave ndikoi. Megjithatë, duhet parë përpara. Kamza po lufton me Kastriotin, Tiranën dhe Luftëtarin për qëndrimin në kategori dhe Gjoka tregon mënyrën se si dilet nga kjo situatë. Kamza dhe ai kanë nevojë për… pikë!
“U mërzitëm shumë, sepse e kishim përgatitur ndeshjen si duhet për të mos humbur. Futbolli është i paparashikueshëm. E pësuam nga një gabim. Gjithë kohën jemi në test, e kam thënë këtë për të motivuar lojtarët. Skuadra nga java në javë po mundohet të ndryshojë diçka. Diku marrim tre pikë, diku humbim si sot. Kishim përballë një ekip të fortë, por jam i kënaqur me atë që skuadra dha. Nuk morëm atë që kishim menduar”.
GOLI I PËSUAR – “Gol ishte i evitueshëm. Gabuam në atë moment. Kishim programuar të markonim lojtarët më të fortë që ata kanë në ajër. Mund të kishim pësuar nga ndonjë aksion tjetër, por jo nga ai rast”.
MARKIMI – “Asnjëherë nuk markoj në zonë, por e bëj miks. Lojtarët kryesorë mbulohen një për një, ndërsa të tjerët mbulojnë zona të caktuara. Nuk morëm atë që kishim menduar”.
MBIJETESA – “E kam thënë se lufta mes katër skuadrave të fundit do jetë e fortë. Mbijeton kush tregon më shumë karakter. Këtë po mundohemi ne. nëse jemi të përgjegjshëm, të kemi dinjitet. Jam i bindur se mund të luftojmë. Kemi lojtarë që mund të na tërheqin përpara”.
MERKATO – “Kemi nevojë për shumë pikë. Çdo gjë në momentin e duhur. Kemi nevojë shumë, kemi diskutuar me skuadrën dhe lojtarët. Na duhen alternativa, nuk kishim dy qendërmbrojtësit. Zhvendosëm Arrabal dhe u dobësuam në mesfushë. Në janar, po të kemi edhe fat, do mundohemi të afrojmë lojtarë cilësorë”.
HUMBJA E TIRANËS – “Ishim më të qetë, por nuk ka vlera nëse nuk merr qoftë edhe një pikë. Duhet të mos humbnim. Nëse merrnin një pikë, do kishim tjetër motivim. Gjithsesi nuk është se do na mungojë kjo, e treguam ta vëmë në vështirësi Flamurtarin. Ishim dinjitozë dhe e kemi potencialin të ecim përpara”.