Trajneri i Vllaznisë, Ernest Gjoka, ka dalë sot në mbrëmje para medieve në Shkodër, duke folur për ngjarjen e shëmtuar të pasdites së sotme, kur një person e kërcënoi dhe sulmoi.
“Ishte një akt i shëmtuar, futbolli nuk është dhe nuk duhet të jetë kështu. Futbolli duhet të shërbejë për tjetër gjë. Nuk bëhesh dot futbollist me zor.
“Nuk e di ku është kjo urrejtje kaq e madhe. Nuk e njoh personin që më sulmoi. Kam menduar se kam ardhur në Shkodër, në një qytet ndryshe, qyteti kulture dhe sportdashës. Këtë ngjarje duhet ta shikojmë si një pjesë të keqe, por kjo nuk është Shkodra.
“Shyqyr patëm fat, patëm Zotin para, unë uroj që kjo gjë të mos i ndodhi askujt. Unë mendoj që duhet të ndryshojë mentaliteti që të ecim përpara. Nuk është çështja që erdhi dikush i fshehur me kapele dhe me xhup deri te goja dhe goditi Gjokën.
“Për të ecur përpara dhe për tu bërë një vend i lirë demokratik, duhet të jemi njerëz të qytetëruar. Policia do të bëjë detyrën e vet dhe jam i sigurt që do ta bëjë mirë. Për pjesën e shtyrjesh të ndeshjes, do flas me kryetaren e bashkisë”.