Nëse shikoni konferencat për shtyp të Kristian Panuçit, mund ta kuptoni shumë mirë se ai stil përdoret prej tij edhe në jetën private. I drejtpërdrejtë, ndërkohë që shpesh lëshon edhe batuta. Sigurisht ndoshta duhet të ishte ndonjëherë më i qetë. Ashtu është gatuar dhe ndryshimi mund të vijë me kohën. Mund.
Bashkëshortja e tij Samanta Togni, ka folur së fundmi dhe ka zbuluar se si është njohur me Kristianin. “Kur ai u emërua si trajner i Ternanës, Kristian më propozoi të shiheshim për një picë në qytetin tim dhe kështu nisëm të takoheshim. I pëlqente fakti që isha e drejtpërdrejtë. Nuk është aspak diplomatik, njëlloj sikur unë. Kam mësuar se transparenca është një cilësi e rrallë”, ka thënë fillimisht Samanta në emisionin “Amadeus L’anno che verra” në Rai1.
Më tej ajo ka shtuar: “Me kalimin e kohës marrëdhënia jonë është bërë më e fortë. Kristian i ka gjithmonë gati batutat dhe kjo nganjëherë është shqetësuese. Ka sjellë në jetën time gëzim dhe surpriza. I ndryshon gjërat në momentin e fundit, kurrë nuk e di se çfarë të presësh. Sigurisht, së bashku nuk mërzitemi”.