Berat Gjimshiti u rikthye titullar tek Atalanta në fundjavë, madje edhe shënoi golin e tretë në fitoren 4-1 kundër Interit. Mbrojtësi doli sot para mediave dhe foli për situatën në kombëtare, golin që i bëri Interit, markimin e Ikardit, mbrojtjen me tre dhe shumë tematika të tjera.
GOLI I PARË NË SERIE A – “Është një moment i bukur personalisht, nuk di të them nëse është më i miri. Gjithmonë vij për maksimumin, pak rëndësi ka nëse shënoj gol apo jo”.
EKIP MEMEC– “Pyetja është për Izraelin, bëmë një ndeshje të mirë dhe nuk e merituam humbjen. Nuk patëm fat. Te goli i parë ishim si në akull, erdhi shumë shpejt. Nuk e pritëm që portieri të gjuante aq larg. Gabuam të gjithë, gjë që ndodh”.
AUTOGOLI ME SKOCINË – “Nuk ishte autogol kur godet dikush në portë. Nuk e di a do luaj apo do shënoj. Vendos trajneri. Nëse jam në fushë provoj të jap më të mirën. Fillimisht duhet të mbroj, pastaj nëse kam mundësinë të shënoj, pse jo”.
IKARDI – “Është e vështirë t’i markosh gjithë sulmuesit, jo vetëm Ikardin. Ka sulmues shumë të mirë në Itali dhe në kombëtare. Është psikologjike që do të japësh maksimumin e të mos e lejosh të shënosh sulmuesin kundërshtar”.
MUNGESA E CANËS – “Mungon, por duhet të shohim përpara. Futbolli është diçka që ecën shpejt. Nuk duhet të shohim pas, por gjithkush të japë më të mirën”.
MBROJTJA ME TRE – “Luajtëm me Jordaninë, kemi disa lojtarë që kanë luajtur me atë sistem. Nuk mendoj se do jetë problem. Trajneri është ai që vendos”.
PROBLEMI I SHQIPRISË – “Mbrojtja bëhet me gjithë ekipin, jo me tre apo katër. Gabimet ishin personale me Izraelin dhe na kushtoi”.
ÇFARË DUHET NDRYSHUAR – “Me Skocinë është një ndeshje e vështirë. Ata luajtën më mirë atje, tani luajmë në Shqipëri dhe kemi rastin të tregojmë vlerat tona. Në fund do arrijmë atë që duam, po luajtëm si skuadër. E dimë se jemi të fortë, po luajtëm të bashkuar”.
MESAZHI – “Tifozët na kanë mbështetur, edhe në Skoci ishin. Shpresojmë të jenë dhe të na mbështesin edhe ndaj Skocisë”.