Gjici uron Skënderbeun dhe paralajmëron: Kemi piketuar 4-5 lojtarë

Presidenti i Kukësit, Safet Gjici, ka qenë me të drejtë shumë entuziast pas fitores në Korçë, por nga ana tjetër tregohet i matur, pa lëshuar deklarata të forta

Leonard Trebicka

Para pak javësh Safet Gjici tha se donte kupë e kampionat, por kupën e humbi dhe kampionatin vetëm me matematikë e fiton, sepse Skënderbeu është tepër larg. Gjithsesi, presidenti i Kukësit nuk pranon ta urojë Skënderbeun para kohe, duke pritur momentin kur do të mbyllet gjithçka, ndërsa i gëzohet fitores së skuadrës së tij, që në fakt e kishte premtuar prej ditësh se në Korçë shkonte për fitore, ose të paktën për të shtyrë festën korçare. Tani, me vendin e dytë të garantuar, Gjici sheh edhe nga e ardhmja, duke parajmëruar 4-5 përforcime.
-Gjici, urime për këtë fitore brenda në Korçë, pasi nuk ka qenë e lehtë për asnjë ekip për t’i marrë Skënderbeut në shtëpi.
-Faleminderit, por ishte një fitore që unë dhe ekipi im e priste. Nuk e them vetëm që tani pasi ndeshja ka përfunduar, por edhe përpara ndeshjes ne kishim shumë besim që do ja dilnim dhe ja ku e mundëm Skënderbeun brenda në shtëpi.
-Kaq i sigurt që Kukësi do të arrinte të fitonte në këtë transfertë kaq të vështirë?
-Isha shumë i sigurt që do ta fitonim, pasi ekipi ishte më shumë se i karikuar dhe në fund të fundit erdhëm në Korçë për fitore, e morëm dhe ikim më shumë se të kënaqur. Edhe në deklaratat e mia gjatë javës e kisha thënë që shkojmë vetëm për tre pikë në Korçë.
-Ju vjen mirë që i prishët festën e titullit kampion Skënderbeut?
-Nuk dua të diskutoj për këtë pyetje që po më bëni, që më vjen mirë apo më vjen keq. Ne bëmë thjesht detyrën tonë dhe nuk bëjmë llogaritë për të tjerët. Edhe Skënderbeu ka ardhur në Kukës dhe na ka mundur. Ne kishim bërë planet tona vetëm për këtë ndeshje dhe nuk më interesojnë skuadrat e tjera. Nëse Skënderbeu në fund do ta fitojë titullin kampion, do t’i urojmë suksese dhe vetëm kaq.
-Si do ta vlerësonit lojën e sotme (djeshme) të skuadrës tënde në fushë dhe a e meritonte këtë fitore Kukësi?
-Sigurisht që e meritonim. Skënderbeu është një skuadër e fortë, por ne e kishim përgatitur mirë këtë takim dhe ishim rigorozë në çdo drejtim. Plus kësaj lojtarët ishin shumë të merituar dhe këtë e pashë edhe përpara ndeshjes. Në fund të fundit, ishte një fitore e merituar.
-Gjyqtari Hamiti nuk ju dha një 11-metërsh, keni diçka për të thënë?
-Nuk merrem me gjëra të tilla tani që ndeshja ka përfunduar. Le ta shohin në moviolë ishte apo nuk ishte 11-metërsh. E rëndësishme është që skuadra fitoi dhe ne festojmë për këtë trepikësh më shumë se të merituar.
-Super Sindrit Guri me golin e tij i dha trepikëshin Kukësit. Ndoshta edhe ky gol e rrit më shumë shifrën e këtij lojtari për t’u shitur nga Kukësi?
-Guri është një lojtar i rëndësishëm te Kukësi dhe këtë e tregoi edhe me golat që ka shënuar. Edhe sot vendosi fatet e fitores dhe për këtë më vjen mirë. Sa për atë se do të shitet apo jo Guri, dua t’u them se janë shumë oferta që kanë ardhur në adresë të tij. Në fund do të fitojë oferta më e mirë dhe këtë do ta zbulojmë në momentin dhe kohën e duhur.
-Po për planet e së ardhmes për Kukësin, mund të na thoni diçka?
-Kukësi është një ekip që punon edhe për të ardhmen dhe e deklaroj këtu që kemi piketuar 4-5 lojtarë dhe jemi me tratativa me ta. Por, kemi edhe disa javë deri në fund dhe kur të mbyllet Superiorja do të flasim edhe për afrimet. Sigurisht që afrimet do ta forcojnë edhe më shumë ekipin e Kukësit dhe për këtë i garantoj të gjithë tifozët kuksianë. Gjithsesi, le t’ia lemë kohës për emrat dhe kush do të jenë këto përforcime.
-Së fundi, a shpresoni për titullin kampion si thatë para pak javësh?
-Ne erdhëm për të fituar këtë ndeshje dhe tashmë jemi 11 pikë larg Skënderbeut. Bëmë detyrën në këtë ndeshje dhe kaq. Sa për titullin, le t’ia lemë fundit kur të mbyllet gjithçka. Për sot (dje) jam shumë i gëzuar për këtë fitore që arritëm në këtë transfertë të vështirë të Korçës.

URIMI – Presidenti i Kukësit ka qenë i ftuar në mbrëmje në “Zona gol” në “Supersport” duke vënë në dukje dhe një herë se ishte gabimi i Kukësit që Skënderbeu rrëmbeu titullin këtë edicion: “Suksese Skënderbeut, e ka fituar titullin. Në gabuam, si klub dhe si staf, pritëm shumë për të ndryshuar trajner. Ndoshta po të reagonim me shpejt do ishim ne kampionë. Dora e Pakult duket, ai do vazhdojë me ne, është i konfirmuar dhe kemi plane të mëdha”.

“Pakult? Ka rikthyer qetësinë në skuadër, po i merr maksimumin këtij grupi. Ndoshta duhej të kishim vendosur më herët për ndryshimin në stol, Milinkoviçit nuk i eci. Nuk ka lidhje së ishte trajner serb dhe ishte krijuar situatë e tensionuar, ne kemi pasur edhe më parë serbë në ekip. Nota 9 për Milinkoviç? Bazohej në sezonin e shkëlqyer të Luftëtari dhe nisja e mirë e sezonit, por nota nuk është e pandryshueshme. Pakult? Kishim synim kupën, nuk e morëm, ndaj nota nuk është maksimale. Notën 10 do ia vendos kur të na çojë në grupe në kupat e Europës”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online