Gjici tani emëron e shkarkon edhe gazetarët!

Safet Gjici ishte mjaft i mërzitur në pushimin e ndeshjes me Partizanin, duke e treguar qartë diçka të tillë. Gjithsesi, goli i dytë e gëzoi shumë dhe bosi i kampionëve në fuqi ishte entuziast në përfundim, kur Guri shënoi dhe të tretin. Gjithsesi, për zotin Gjici ka gjithnjë një çështje gazetarësh, sepse pak kohë më parë hodhi në gjyq (kështu tha, të paktën!) kolegët e Panorama-Sport dhe tani ushtron presion edhe ndaj Sport Ekspres. Të flasë apo jo për mediat është një e drejtë e zotit Gjici, por të njëjtën të drejtë ka dhe gazetari që të ushtrojë detyrën e tij për të bërë pyetje.

Duket se zoti Gjici ka nisur preferencat, jo vetëm për t’u përgjigjur, por dhe për të caktuar se kush do e mbulojë Kukësin e kush jo. I tillë ka qenë rasti i ditës së sotme, ku pas ndeshjes i është drejtuar gazetarit të “Sport Ekspres” me shprehjen: “Ti nuk do të jesh më korrespondent i Kukësit, do ta shohim”. Ishte entuziast, por nuk e justifikon faktin që bëhet përgjegjës apo vendosë kushte se kush do të jetë gazetar i një skuadre e kush jo. Jetojmë në 2018-ën, ndoshta në demokraci, të paktën kështu na thonë Gjici e shokët e tij të politikës prej thuajse 30 vitesh.

Vërtet Kukësi fitoi me Partizanin, por kjo nuk i mundëson presidentit të Kukësit të përzgjedhë gazetarët, të vendosë kush punon te “Sport Ekspres” apo çdo gazetë tjetër që ai nuk e ka në pronësi. Kur ta blejë gazetën, është i mirëpritur të bëjë atë që bën zakonisht te Kukësi, t’i trajtojë njerëzit si prona të tij. Për momentin, gazetarët e gazetës sonë nuk kanë asnjë kontratë me Kukësin. Me sa dimë ne, sepse nuk i dihet, ndoshta na është depozituar diku ndonjë kontratë pa dijeninë tonë, por me firmën tonë.

One thought on “Gjici tani emëron e shkarkon edhe gazetarët!

  1. Ja dhe “boset” shqiptare, dikur police me kapele e kobure, tani kane firma ndertimi! Vetem ne Arnautistan ndodh kjo gje!

Leave a Reply to noname Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *