Sot paradite, në zyrat e Kukësit, presidenti Safet Gjici ka prezantuar trajnerin e ri Mlladen Milinkoviç.
Serbi merr vendin e Ernest Gjokës, i cili paguan eliminimin nga Sherifi: “Trajnerin Gjoka e falënderojmë për sezonin e shkuar, ashtu si edhe stafin. Titullin nuk e ka marrë i vetëm, e ka marrë me lojtarët me klubin. Një klub të bën të madh, por një trajner i madh pa të tjerët nuk bën dot gjë. Kam pasur një marrëveshje për një vit dhe një marrëveshje për të kaluar turin e parë. Bëri maksimumin dhe nuk ia doli, ndaj duhej të shihnim për trajner tjetër. Gjoka është një djalë punëtor, ka punuar mirë, e falënderojmë për atë çfarë ka bërë. Fati na dha rezultatin 2-0, na ra Sherifi nga një listë gjigante, nuk është se nuk patëm fat. Më shumë se kaq fat nuk mund të kesh. Falënderoj të gjithë stafin e sezonit të kaluar, pasi janë lodhur të gjithë dhe kanë punuar”.
Tani vjen Milinkoviç: “Falënderoj Milenkoviç që mori përsipër drejtimin e Kukësit. Të gjithë e njihni për punën që ka bërë. Sot ka nënshkruar me Kukësin me qëllimin e vetëm për të fituar titullin. Besoj fort për projektin e trajnerit për ekipin. Objektivi është titulli, ekipin e ka në dispozicion, ne jemi të gatshëm për t’i plotësuar çdo kërkesë. Trajneri, ne, nuk jemi shumë simpatikë, por ne tregojmë vepra. Mes 5-6 projekteve zgjodhëm Milinkoviç dhe kam besim e bindje se së bashku do e marrim sërish titullin kampion.
“Kontrata e Milinkoviç? Gjithçka nis me Superkupën dhe më pas duam titullin dhe Kupën. Milinkoviç më ka bindur dhe ka marrë përsipër Superkupë, kampionat Kupë. Do e mbështesim atë dhe për herë të parë marrin një trajner me tre ndihmës. Më pas do të flasim për Europën”.
Trajneri i huaj: “Nuk dua t’i dalloj trajnerët shqiptarë me të huaj. Menduam të marrim një të huaj që është provuar në Shqipëri. Ka futur një frymë në vend me lojën e bukur që bënte Luftëtari. Nëse trajneri nuk ka mbështetje nga klubi, atëherë s’ka sukses. Milinkoviç e njeh kampionatin dhe tani duam të ruajmë titullin. Nuk do jetë e lehtë dhe ky trajner i ka pranuar jo i sforcuar, por me dashamirësinë më të madhe. Këta që nuk kanë frikë, unë u jap besim”.
Trajnerët e shumtë dhe çështja Gega: “Nëse ne ndërrojmë trajnerë, a kemi rënë më poshtë? Ku janë trajnerët që kanë drejtuar më parë Kukësin. Ndeshja e Championsit na ka dëmtuar shumë. Nuk është faji vetëm i Gjokës, por edhe lojtarët kanë faje. Klubi bën ndryshime në të mirë gjithmonë. Ne zgjedhim në bazë të projekteve dhe Gega nuk e pati. Në prill as që kam menduar ta afroj Milinkoviç, pasi ai ishte pjesë e Luftëtarit dhe Gjoka po bënte. Nëse ai e kalonte turin, që ishte një centimetër larg, do qëndronte. E kishte ndeshjen 2-0 dhe nuk e ruajti rezultatin. Te gjithë trajnerët që ka pasur Kukësi, më pas nuk kanë pasur sukses”.