Gjici kritika të ashpra, e pësojnë vetëm të rinjtë

 Në mbledhjen e djeshme, presidenti Gjici nuk i ka kursyer kritikat dhe tonin e lartë të zërit. Koldashi, Joti, Duraku dhe Kumanova përfundojnë te Kukësi B. Situata me Meminin saktësohet sot

Jurgen Zela

Kukësi ka synimin e madh për të mbrojtur titullin kampion, por nisja e edicionit të ri nuk ka qenë në nivelet e pritshme. Pas humbjes së Superkupës dhe fitores së mundimshme me Kamzën, erdhi humbja me Egnatian. Në një situatë të tillë nuk mund të mungonte një analizë e ndeshjes. Ishte hera e parë që bosi i kuksianëve grumbullonte të gjithë ekipin e tij për të vendosur pikat mbi “i”. Edhe pse mendohej se ishte presidenti i Kukësit ai që e kishte kërkuar këtë mbledhje, në fakt ka qenë trajneri Mlladen Milinkoviç ai që e ka kërkuar. Në ambientet e klubit janë paraqitur të gjithë pjesëtarët e stafit teknik dhe administrativ, së bashku me lojtarët. Veç kritikave, nuk kanë munguar as vendimet për të penalizuar disa lojtarë, që më shumë ngjan si një sinjal për lojtarët e tjerë, sesa për futbollistët që janë bërë “kokë turku”.

MBLEDHJA

Ka zgjatur më shumë se një orë e gjysmë mbledhja e djeshme e zhvilluar që në orët e para të mëngjesit. Numri 1 i Kukësit nuk i ka kursyer kritikat me tone të larta ndaj lojtarëve të tij, duke u kërkuar llogari për humbjen me një skuadër që këtë sezon ka siguruar ngjitjen në Kategorinë e Parë. Në fokus ka qenë edhe nisja e dobët e sezonit. Edhe stafi teknik ka qenë pjesë e kritikave të presidentit, i cili në këtë pikë kërkon të gjejë pikërisht atë që nuk shkon. Gjici ka kërkuar që në ndeshjen me Partizanin skuadra të marrë kthesën, ose në të kundërt penalitetet nuk do të mungojnë. Një situatë e njohur dhe më parë kjo te Kukësi, me bosin kuksian që gjithnjë “i shkund” mirë të tijtë, kur e sheh se gjërat nuk po i shkojnë siç duhet.

PENALIZIMET

Ishte vetë trajneri Milinkoviç, i cili në deklaratat pas ndeshjes tha se disa nga lojtarët do të jepnin llogari, por dhe se do të ketë masa ndaj disa lojtarëve. Kështu ka ndodhur. Edhe pse pritej ndonjë gjobë e vogël, vendimi ka qenë që disa lojtarë të stërviten për disa kohë me Kukësin B. Albi Koldashi, Kristi Joti, Klodian Duraku dhe Kevin Kumanova dje janë spostuar në fushën paralele në Peze-Helmëz, ku stërvitet skuadra e dytë e kampionëve. Vetë lojtarët janë njoftuar vetëm para stërvitjes, teksa një nga ndihmësit e trajnerit Milinkoviç u ka komunikuar vendimin. Mund të konsiderohet një vendim i çuditshëm për faktin se janë penalizuar lojtarë që në ndeshjen me Egnatian nuk janë aktivizuar fare, ose kanë pasur minutazh të kufizuar. Në këtë situatë ngjallet ideja se mund të jetë një mesazh për pjesën tjetër të skuadrës, që duhet të nxjerrë mësim për të vlerësuar maksimalisht çdo ndeshje.

MEMINI

Pjesë e kësaj liste ka qenë dhe mbrojtësi Rexhep Memini, por durrsaku nuk e ka pranuar vendimin për t’u stërvitur me skuadrën e dytë. Në këto kushte ai ka qëndruar me skuadrën e parë, megjithatë kjo situatë do të saktësohet sot, ku dhe do të sqarohet raporti mes klubit dhe lojtarit. Gjithçka pritet të marrë zgjidhje pa u krijuar hapësira për ndonjë situatë tjetër të ngjashme. Ndryshe nga Memini, lojtarët e tjerë kanë vepruar sipas masës që kishte marrë klubi.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online