Gjici i fiton vetë trofetë, po respekti a blihet në treg?

“Kupën e fitova unë, se të ishte për ju…”. Kështu deklaronte vjet Safet Gjici, kur largoi Klodian Duron nga stoli i Kukësit.

Edhe këtë vit e njëjta histori, Gjici nuk i dha meritën e duhur Ernest Gjokës për fitimin e titullit, ka zëra që nuk respektoi as marrëveshjen me trajnerin, i cili duhej të merrte një bonus të konsiderueshëm për titullin.

Më pas erdhën ndeshjet me Sherifin. “Më ke shitur ndeshjen”, i ulërinte Gjici spanjollit fatkeq Serran, i ndodhur në vendin e gabuar në momentin e gabuar.

Po kthimi? “Na eliminoi Pejiç. Fajin e ka ai, por edhe Gjoka, se i thashë të mos ia jepte atij penalltinë, por Eminit”. Respekt zero: Pero Pejiç u largua sikur të quhej Kufre Ebong (kush e mban mban mend, fiton një udhëtim për Pezë-Helmës), Gjoka u largua sikur të kishte rënë nga kategoria, pa asnjë falënderim e njoftim zyrtar për largimin, aq sa ia kërkonin pasuesin që në qershor. Natyrisht, fajin e ka Gjoka, që nuk lexon kontratat dhe nuk e dinte që i duhej të punonte pa kontratë deri në korrik, se ashtu janë kontratat te Kukësi.

Meqë jemi te kontratat, ai Izair Emini që duhej të gjuante penalltinë ndaj Sherifit ishte i panevojshëm në qershor. Shkëlqeu ndaj Sherifit, Gjici ndërroi mendje dhe juristi i tij nxorri nga arkiva një kontratë ku Emini rinovonte më 20 korrik pa qenë as në selinë e Kukësit, e rrezik as në Shqipëri (!). Në kontratën që ka Emini, lirohej pas kupave të Europës, edhe pse falë mprehtësisë së FSHF-së dhe juristëve të saj, kontrata e Eminit shkruan edhe se lojtari i përket Kukësit për 3 vite, ndonëse kontrata i skadon në verë 2017!

E njëjta histori me Nijas Lenën, iku në Maqedoni duke deklaruar: “Do të pushoj pak, pastaj do të shoh për të ardhmen. Kontrata ime mbaroi, por pres sinjal edhe nga Kukësi, ma dinë numrin”. Numri nuk u duhej, sepse i kishin firmën! Lena në Maqedoni, firma në kontratë vihej në Tiranë dhe krejt papritur Lenës i vinte njoftimi: Paraqitu, ke kontratë! E pandershme, për të mos përdorur ndonjë fjalë më të rëndë.

Edhe Enea Koliçi po ashtu: ka 6 muaj që vëzhgohet nga klube të huaj, e do edhe Skënderbeu, por te Kukësi nuk i thanë asnjëherë “prit, se je në kontratë”. Nuk ishte realisht nën kontratë pas eliminimit nga kupat e Europës, pretendon Koliçi, por edhe ai firmosi krejt papritur, aq shpejt sa nuk e kuptoi as vetë, ndoshta ngaqë nuk firmosi vetë për rinovimin.

Ndërkaq, Kukësi ka marrë Mlladen Milinkoviçin trajner, nuk dihet pse, sepse Gjici është trajner aq i zoti, sa trofetë i fiton vetë. Disa thonë që tek-tuk edhe blen e rregullon ndonjë ndeshje, por nuk u zëmë besë keqdashësve (edhe për pazarin me Tiranën nuk i besojmë askujt, natyrisht). Kukësi thotë që i bëri të famshëm lojtarët, ndaj ata duhet të kenë respekt, por Kukësi vetë nuk ka përfituar fare nga këta lojtarë? Problemi është që te Kukësi duhet të blejnë pak RESPEKT, por në treg blihet gjithçka, përveç tij.

Blerim Jahaj

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online