Sinan Idrizi është një personazh unik, shumë interesant në daljet e tij mediatike, sidomos për shprehjet filozofike dhe krahasimet duke përdorur figura letrare, kur dëshiron të ironizojë. Natyrisht, problemi i tij i madh në këtë moment është sjellja e arbitrave, me shumë vendime të dyshimta në dëm të Flamurtarit kohët e fundit, ndaj administratori kuqezi vijon luftën personale në distancë me Federatën Shqiptare të Futbollit, duke sulmuar edhe presidentin e Federatës, Armando Dukën, në një lidhje direkte me Supersportin para ndeshjes së sotme kundër Kamzës.
Nëse shumë gjëra i ka thënë e stërthënë këtë sezon, sot Sinan Idrizi kishte përgatitur edhe diçka të re në stadiumin Flamurtari. Në vend të protestës 15-minutëshe të paparalajmëruar, por të anuluar nga frika e ndonjë ndëshkimi serioz, Idrizi ka urdhëruar që në stadium të buçasin këngët e grupit legjendar Pink Floyd. Jo këngë dosido, por “Dogs” dhe “Pigs”, dy himne të grupit psikedelik, që përkthehen “Qentë” dhe “Derrat”. Për kë e ka, e imagjinoni vetë…