Tre muaj pas suksesit ndaj kolumbianit Devis Kaseres, ku kurorëzoi me fitore rikthimin në ring, Gjetan Keta do të dalë sërish në ring. Këtë herë objektivat janë madhorë. Nga brezi i kampionit të botës, deri te nderimi i një legjende si amerikani Majk Tajson.
Kundërshtari i radhës është kampioni i peshave të mesme, në versionin WBU, Pol Valenzuela Zhunjor. Dueli kundër boksierit meksikan do të zhvillohet më datën 8 shtator në Dibër të Madhe, në vendlindjen e luftëtarit kuqezi.
Një duel në shtëpi për Gjetan Ketën, misioni i të cili mbetet gjithsesi i vështirë. Kampioni Valenzuela Zhunjor është 31 vjeç dhe në 30 duele ka fituar 23 të tilla. Në anën tjetër, sfidanti shqiptar është 35-vjeçar dhe ka fituar 22 prej 26 dueleve të zhvilluara.
Gjetani synon që të fitojë brezin botëror, edhe sepse më 29 tetor në Shqipëri pritet të mbërrijë legjenda botërore, Majk Tajson. Në atë periudhë, vëllai i boksierit, ish-kampioni Ismail Keta, që aktualisht ka rolin e trajnerit dhe promotorit synon të organizojë një eveniment në nder të “Majkut të Hekurt”, me shpresën se aty Gjetani do të mbrojë titullin e kampionit në versionin WBU.