“Gjëja më e mirë që i ka ndodhur sportit”, flet Duka: KOKSH-i vazhdoi gjumin, ja ç’më tha Rama

Pritjes së gjatë i ka ardhur fundi dhe shqiptarët do të mund të shohin sërish Kategorinë Superiore të luhet. Premtimi nga Qeveria për 4 kërkesat ka ardhur dhe klubet e elitës së Shqipërisë kanë vendosur t’i japin fund bojkotit të tyre. Në lidhje me këtë temë ka folur edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili u angazhua personalisht për të ndihmuar në zgjidhjen e këtij ngërçi për futbollin tonë.

Duka ka qenë i ftuar mbrëmjen e stome në emisionin “Pressing“ në “ABC News“, ku është shprehur se bojkoti ishte një masë ekstreme, por ishte një mënyrë e mirë për të zgjidhur këtë situatë. Kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit thekson se miratimi i kërkesave të paraqitura nga Liga Profesionste është gjëja më e mirë që i ka ndodhur sportit.

“Është një lajm i mirë që nisim të luajmë futboll pas shumë peripecive, nga Covidi dhe bojkoti. Të dielën luhet në të gjitha nivelet e garave. Ndërprerja ishte e sforcuar, bojkoti ishte akt ekstrem por ishte një mënyrë për të ndërgjegjësuar në zgjidhjen e kësaj situate. Jo vetëm e kemi respektuar aktin e presidentëve, por edhe e kemi mbështetur.

Edhe pse me një mjet jo të pëlqyeshëm, ata bënë një sakrificë të madhe për gjithë sportin. Sollën në vëmendjen e vendimmarrësve që jemi edhe ne dhe që sporti duhet zhvilluar. Pas shumë takimeve morën atë vendim ekstrem për bojkot. Duhet t’i falënderojmë që e sollën në tavolinë çështjen e gjithë futbollit shqiptar.

E thashë që në fillim dhe e kam thënë, i kam mbështetur dhe i kam iniciuar kërkesat. Nuk kemi qenë në të njëjtën mendje për të arritur te rezultati, por kërkesat kanë qenë minimaliste. I rëndësishëm është rezultati dhe si i shërben futbollit. Nëse miratohen ato kërkesa plotësisht, madje me ndonjë shtesë më vonë, kjo është gjëja më e mirë që i ka ndodhur sportit.

Biseda me Ramën? Kemi biseduar me të, jo vetëm unë, për propozimet tona. I kemi bërë edhe në tavolina publike, jemi munduar të sqarojmë kërkesat dhe gjërat e mira që sjellin. Kanë qenë ditë takimesh, që na çuan në marrjen e këtij vendimi. Trajnerët, futbollistët e sportdashësit, prisnin me padurim fillimin e lojës, pavarësisht arsyes dhe kërkesave. Një ndërprerje i dëmton ata, edhe pse janë stërvitur dhe kanë bërë miqësore. Ka pasur një mirëkuptim dhe angazhim, që na bind se kërkesat do të plotësohen. Morëm vendimin që menduam se është më i miri për lojën.

Të gjithë diskutimet ishin të tilla që na thanë se kemi të drejtë. U vu në dukje vetëm bojkoti. Tani ka shkuar në rrugën e zgjidhjes. FSHF do të shikojë praktikat e domosdoshme për të përmbyllur bisedimet.

Federatat e tjera? Fatkeqësisht ka pasur reagim jo i vakët, por inekzistent. Ka pasur ndonjë president. Federatat pothuajse nuk ekzistojnë, nuk mund të bëjnë as deklarata. Ekonomia e tyre është e tillë që nuk e thonë dot as realitetin. Ligjet u japin atyre më shumë liri edhe në vendimmarrje.

KOKSH? Nuk kemi Komitet Olimpik dhe duhet ta kishin bërë vetë federatat. Mundja e Basketbollit kanë folur, gjithashtu edhe ndonjë sportist. Duhet ta kishte bërë KOKSH. Gjithsesi kanë probleme të tjera dhe asnjë sekondë kohë për të menduar për sportin. Nuk e shoh vetëm unë kështu. Nuk mbeti askush pa diskutuar në lidhje me bojkotin, apo edhe për pandeminë. KOKSH vazhdoi gjumin, faktikisht as nuk kemi, është inekzistent.

Kam bindjen se do të zgjidhen të gjitha, madje edhe diçka më shumë. Fola me Ramën dhe më tha që ky nuk është Ligj, por është një Fond për Sportin. Është një minimum që siguron mbijetesën e klubeve, federatave dhe akademive sportive. Ne e kemi ngritur zërin për interesat e futbollit, është sporti me më shumë atletë në vendin tonë. Sa ka një klub futbolli, mund të ketë një federatë. Shqipëria ka pasur sporte të tjera me rezultate të mira. Sot i kemi ndoshta në nivele amatore. Mbahen me iniciativën e një individi.

Ndërprerja e mundshme? Uroj të mos ketë, asnjë fushë e jetës. Shpresoj të mos kemi arsye të ndërpresim aktivitete sportive. Uroj të përmirësohet situata e covid-19 dhe të kthehemi sa më shpejt në jetë normale, madje të na kthehen tifozët në stadiume apo impiante sportive”, ka deklaruar Armand Duka./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online