Evertoni i ka dhënë fund marrëdhënies me trajnerin Sem Allardajs, i cili largohet pas 6 muajsh zhgënjyes dhe pritet të pasohet nga Marko Silva.
Allardajs u takua me pronarin e klubit nga Liverpuli, Farhad Moshiri, të mërkurën në mëngjes, ku iu tregua se nuk ishte më pjesë e planeve të ardhshme të klubit.
Trajneri 63-vjeçar ishte edhe një vit kontratë, pasi kishte firmosur për një vit e gjysmë në nëntor, kur pasoi Ronald Kumanin, por pushimi nga puna do t’i mbushë llogarinë bankare, sepse Evertoni do të depozitojë edhe 6 milionë sterlina, përveç 3 milionëve të marra deri tani.
Allardajs e mori Evertonin në vendin e 13-të dhe e la në vendin e tetë, por tifozët nuk e pëlqyen kurrë stilin e tij të lojës, i lashtë dhe shumë mbrojtës, me topa të gjatë. I famshëm si specialisti i mbijetesave të pamundura, Allardajs nuk ka bërë asgjë për të hedhur një hap më lart, për t’u bërë trajner Europe, ndaj tek Evertoni e ardhmja e tij ishte e zymtë.