Sezoni futbollistik në Finlandë tashmë ka mbyllur siparin, e fitues është shpallur ekipi kryeqytetas i Helsinkit. Një sezon pa shumë histori dhe dominim total nga ekipi kryesor i Finlandës. Kampionati Finlandez i futbollit është i ndryshëm, ndikuar kjo edhe nga dimri i ashpër. Sezoni futbollistik fillon në prill dhe përfundon në javën e fundit të tetorit.
Ashtu si pjesën më të madhe të ligave Europiane, edhe në Finlandë luajnë futbollistë me prejardhje shqiptare. Kujtojmë që në muajt e fundit ekipit kombëtar i është bashkuar edhe sulmuesi premtues Albion Ademi, i cili aktivizohet me ekipin tjetër të rëndësishëm finlandez të Inter Turkut. Kolonia e shqiptarëve që luajnë në Superligën është e vogël krahasuar me shtetet e tjera ku shqiptarët jetojnë.
Xhevdet Gela është një ndër shqiptarët që aktivizohen në elitën e futbollit finlandez. Mesfushori 29-vjeçar luajti me FC Lahtin dhe në një intervistë ekskluzive dhënë për Sport Ekspres rrëfen jetën dhe karrierën e tij futbollistike në Finlandë.
INTERVISTOI: BOJKEN DALIPAJ
Një sezon futbollistik që sapo ka përfunduar në Finlandë me FC Lahti, çfarë mund të na thoni për të?
-Një sezon i gjatë dhe i vështirë deri diku. Objektivat e fillim sezonit ishin madhore dhe për t’u renditur në zonën që mundëson të luash në Europa Ligë. Në fund arritëm të renditemi në vendin e tetë, çka nuk na e mundëson pjesëmarrjen në arenën evropiane gjatë verës.
Përsa i përket aspektit personal, si e gjykoni sezonin që sapo u mbyll?
–Në aspektin personal e gjykoj një sezon pozitiv, me pak ulje ngritje, ndikuar kjo edhe nga dëmtimet e kaluara. Në pjesën e dytë të sezonit jam aktivizuar më tepër, duke e lënë pas dëmtimin e kaluar. Pra, në mbyllje të tij arrita të jem titullar dhe të kontribuoj për ekipin.
Çfarë mund të thoni diçka për të ardhmen tuaj?
-Kontrata ime me FC Lahtin përfundoi. Kam luajtur në Finlandë, ku kam marrë përvojë dhe pjekurinë e duhur. Sapo kam firmosur kontratën e re me ekipin e HIFK Helsinki. Për mua është një rikthim në këtë ekip, pasi kam luajtur dy sezone më parë. Ekipi sapo është rikthyer në elitë dhe projekti i tyre më pëlqeu, ndaj edhe vendosa të rikthehem.
Sa i azhornuar jeni lidhur me zhvillimet në Shqipëri në futboll?
-Nuk është se jam shumë i informuar për të, por ndjek sa mundem informacionet në internet. Di që Skënderbeu është ekipi kryesor i viteve të fundit. Ecuria e ekipeve shqiptare në Europë është për t’u vlerësuar dhe duket që kualifikimi në Euro 2016 ka qenë pozitiv në të gjitha aspektet, duke ndihmuar promovimin e futbollit shqiptar në përgjithësi. Gjatë verës kam qenë shumë pranë akordit me një ekip të Superligës, por nuk u arrit akordi financiar. Kjo bëri që unë të mos tranferohesha atje.
Sikurse dihet, shumë lojtarë tani kanë mundësinë të zgjedhin mes Kosovës e Shqipërisë. Si e shikoni këtë “luftën” e heshtur lidhur me lojtarët dhe zgjedhjet e tyre?
-Nuk është “luftë”, pasi jemi duke folur për ekipe shqiptare, dy shtete të ndryshëm, por jemi shqiptar. Është luks dhe avantazh që kemi dy përfaqësuese që promovojnë kulturën shqiptare nëpërmjet futbollit. Zgjedhja bëhet me zemër dhe kjo nuk duhet të shihet as si tradhti, as si braktisje. Nuk mund të bësh diferencë midis dy kombëtareve pasi janë dy ekipe shqiptare.
Po për trajnerin Panuçi, çfarë mund të na thoni?
-Trajneri i ri, vjen nga një karrierë shumë e mirë si sportist. Mendoj se ka bërë mirë deri diku, nuk ka luksin të zgjedhë, pasi lojtarët që ka në dispozicion kanë qenë të limituar nga kondicioni fizik. Afrimet e fundit, sidomos lojtarët e rinj që u është dhënë mundësia në kombëtare, tregon vizionin e tij për të krijuar një bosht në ekip. Futbolli është edhe me të ecur dhe pak fat si të themi. Krijon shumë, por nuk shpërblehesh. Mendoj se duhet të mbyllet faza e eksperimenteve dhe të krijohet në ide fikse për modelin e lojës dhe formacionin. Koha do tregoj çdo gjë.