Gega: Titulli? Dua të fitoj derbin, askush nuk do të na ndalë!

Skënder Gega, trajneri i Partizanit, para derbit doli para mediave dhe iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve. Kreu i pankinës së të kuqve u shpreh fillimisht se janë përgatitur si për çdo ndeshje. “Nuk ka asnjë ndryshim, nuk ka asgjë ekstra nëse luhet derbi apo kundër Flamurtarit. Është e njëjta strategji pune, i njëjti regjim. Punohet në aspekte të ndryshme, sipas kundërshtarit. Nuk ka gjë ndryshe në aspektin e stërvitshmërisë”, u shpreh fillimisht Gega.

“Derbi për kampionatin? Kam dëshirë të fitoj derbin. Janë edhe 13 javë, pastaj mendojmë për kampionatin. Dëshira e çdokujt është të fitojë, pa bërë plane afatgjata. Koha për llogari? E thashë, duhen marrë me radhë ndeshjet. Llogaria jonë është të fitojmë derbin. Të gjithë energjitë do jenë te ndeshja me Tiranën. Nuk jam tip që nuk bëj shumë llogari”, shtoi trajneri i Partizanit.

“Në sport ndodh rrallë të ketë ndeshje pa adrenalinë dhe emocion. Historikisht kemi pasur pozicione të ndryshme, por paraqitjet në fushë kanë qenë ndryshe, Janë dy klube me histori të madhe dhe presioni nuk shmanget dot. Jemi të plotë dhe do mundohemi të jemi të qartë në ato që do bëjmë”.

“Presion, kush ka më shumë? Historia është histori, çdo ndeshje është një histori e re. Po të kthehemi pas nuk është se ka diçka që të ndihmon për pikët. Besoj se presioni jonë është të kemi vazhdimësi. Ideja se fitojmë derbin prej kohësh është pozitive, por është e kaluar, Duhet të shohim nga ndeshja e nesërme”.

“Barazimi?Do mundohemi të marrim më të mirën. Çdo gjë që planifikohet ndoshta nuk shkon ekzakt, por nuk dua të dëmtohemi. Duhet të jemi ata që të dalim nga fusha me interesat tona. Në futboll ndodh çdo gjë. Besimi është, e kemi potencialin për të marrë maksimumin. Kjo nuk është sekret. Nuk duhet të na ndalë njeri, duhet të vazhdojmë”.

“Presion nga derbi, apo nga rivalët? Jemi të qetë, pasi ndryshe nuk i menaxhon dot gjërat nëse humbet thelbin dhe atë që punon Rivalët janë dhjetë, bëhen tetë. Mund të ndalemi edhe ne, ky është futbolli. Jemi të bindur se do të shkojmë shumë përpara. Deri tani kemi ardhur këtu me meritë. Është shumë e rëndësishme të mos ngecim dhe kjo është fazë shumë e rëndësishme”.

MUNGESA E TRASHIT – “Gjithmonë, në një ekip që funksionon mirë ndryshimet janë shumë të vogla. Kemi sot seancën e fundit dhe do të mundohemi që deri nesër, një orë përpara se të nisemi për në stadium të kemi vendosur se kush do të luajë. Çdo gjë tjetër do të jetë në pritje.”

KALENDARI I VËSHTIRË – “Pikët janë të rëndësishme karshi çdo ekipi. Rëndësi ka që pas 13 ndeshjesh të marrim pikët që duam dhe të jemi aty ku ne mendojmë. Si ja morëm Kukësit, si Luftëtarit, për mua është njësoj, pikë janë. Rëndësi ka të menaxhojmë çdo ndeshje mirë dhe të marrim maksimumin.”

POZICIONI I ATANDËS – “Atanda është gjithandej lojtar i mirë. Do të vendosim se ku do të luajë dhe mënyrën si do luajmë. Atanda është pjesë e rëndësishme e grupit dhe ka bërë një sezon të mirë. Për fat gjithashtu kemi dhe alternativa, jo si dy fazat e para që stoli ishte pak i vakët. Sot jemi në një situatë tjetër dhe në çdo situatë kemi alternativa.”

PËRGATITJA E NDESHJES – “Brenda 90-minutëshit ndryshojnë shumë situata. Shpresoj që të përfitojmë nga momentet tona të mira, shpresoj që në momentet tona të këqija të mos dënohemi. E rëndësishme është që në fund, ndeshjen ta kemi në krahun tonë.”

FESTA NË DERBIN E FUNDIT – “Është diçka e momentit. Shpresoj që të festoj përsëri. Është diçka që ndodh. E rëndësishme është që ekipi të dalë me kokën lart dhe të kënaqim tifozët dhe dashamirësit. Të japim besim që jemi në rrugën e duhur dhe nuk besoj se do të na ndalë njeri.”

TIFOZËT – “Ndjej keqardhje sepse një grup prej 3-4 vetash nuk mund të rëndojnë as punën tonë dhe as mbështetjen e tifozëve. Pjesa më e madhe e tifozëve nuk bënë asnjë gabim dhe ishin “fair-play”, duke mbështetur ekipin. Klubi ka mbajtur qëndrimin e vet dhe unë personalisht çdo moment që kam qenë përpara mediave dhe pranë ekipit kam dashur të përcjell “fair-play” dhe ndjenja miqësore, pasi ky sport duhet të na bashkojë. Shpresoj që diçka e tillë mos të përsëritet. Patjetër që na rëndon, pasi e duam ndeshjen me tifoza, siç e meritojmë dhe siç e parashikojmë.”

“Batutat? Drejtori ka dhënë një përgjigje për gjunjët, unë kam dhënë  një tjetër. Është krejt normale që rivalët dhe presidentët të kenë batutat e tyre. Nuk besoj se ia vlen të kthehemi pas. Unë shoh familjen time dhe punën e klubit tonë. I shoh ndeshjet e kundërshtarëve, nuk është se ndihem i zhgënjyer apo i lumturuar kur ndonjë ngec. E gjithë puna është çfarë do i marrim ekipit tonë. Për fat të mirë grupi është i plotë, fizikisht jemi mirë. Batutat janë vetëm batuta, nuk po kthehemi mbrapsht”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online