Trajneri i Partizanit, Skënder Gega, në intervistën pas ndeshjes për “Gol pas goli” në Supersport nuk e ka fshehur dëshpërimin për humbjen e ardhur në shtesë në Korçë, me një 11-metërsh që duhet evituar nga Partizani. Për Gegën loja ishte e mirë, por duhet ndonjë përforcim.
“Është për të ardhur keq. Në pjesën e parë çaloi mesfusha, që është pika më e fortë e jonë në fakt. Në pjesën e dytë bëmë ndryshime dhe skuadra luajti më mirë, Hebaj kishte mbështetje më shumë.
“Penalltia? Nuk isha i kënaqur as me barazimin, ndërsa në fund erdhi ai episod që vendosi ndeshjen, episod që nuk dua ta komentoj pa e parë mirë.
“Merkato? E kam thënë edhe para ndeshjes që kemi ende nevojë për ndërhyrje. Unë kam dhënë mendimin tim ku kemi nevojë për ndërhyrje, por besoj se grupi është ky, nuk duhet ndërhyrje të mëdha. Deri tani jemi paraqitur mirë, sot humbëm me një penallti të evitueshme, por futbolli i tillë është.
“Partizani për kampion? Unë e kam thënë që ditën e parë që Partizani e ka stofin e kampionit. Sigurisht, dëshira është shumë e madhe, por është vetëm fillimi, edhe pse do ishte mirë ta nisnim me rezultat pozitiv.
“Hebaj? Ai lëvizi shumë, por në pjesën e parë nuk kishte shumë mbështetje. Në pjesën e dytë rrezikuam dhe u spostuam përpara për ta ndihmuar më shumë. Duhet të bëjë më shumë, por të gjithë duhet të rritemi pak nga pak, nuk mund të varemi vetëm nga një lojtar.
“Mbrojtja? Ibrahimi e bën mirë detyrën, nuk ka rëndësi mosha dhe luan ai për sa kohë nuk ka të tjerë më të mirë.
“Çani? E kam sqaruar pozicionin e tij që kur kam ardhur, forma e tij mund të shihet në ekipin e dytë. Nuk kam asgjë personale me të, por është jashtë çdo parametri fizik. Nëse kthehet në formën e duhur, nuk e ka të mbyllur derën e ekipit të parë. Unë marrë atë që është në maksimum, më vonë gjithçka mund të ndryshojë.