Garet Southgejt, trajneri i Anglisë, deklaroi gjatë ditës së sotme se kombëtarja ka nevojë për një lojtar si Pol Gaskojn. Një talent, i cili mban presionin dhe zgjidh ndeshjen me anë të një veprimi kualitativ. “Na nevojiten lojtarë të talentuar. Kemi nevojë për një Gaskojn të ri. Lojtari i vetëm i talentuar që kam parë në jetën time ishte Pol Gaskojn. Na mungon një lojtar që mund të marrë topin, të avancojë, sulmojë, driblojë kundërshtarët dhe të mbajë presionin“.
Nuk ka kaluar shumë dhe ka ardhur reagimi i “Gazzës”. Ky i fundit ka postuar në rrjetet sociale duke treguar gatishmërinë e tij për t’u rikthyer në kombëtare. Sigurisht, një shaka e Gaskojn, i cili është 51 vjeç dhe vazhdon prej vitesh luftën e tij me alkoolin.
“Mund të luaj akoma dhe jam në dispozicion të trajnerit, duke filluar nga nesër”, komenton Pol Gaskojn, një nga lojtarët më të talentuar në fushën e blertë, por problematik jashtë saj dhe një karakter i vështirë për t’u menaxhuar.