Gaz Demi: Kam ndërhyrë vetëm një herë në formacion!

Presidenti i Partizanit, Gazment Demi, ishte i ftuar në emisionin “Zona Gol” në “Supersport”, ku diskutoi në lidhje me triumfin e skuadrës së tij, që ditën e sotme u kthye te titulli pas një pritje 26-vjeçare.

TITULLI – “Titulli është një punë 6-vjeçare. Qëkur kemi marrë klubin në Kategorinë e Dytë kemi synuar titullin. Kemi pasur rastin që kemi mundur Skënderbeun tre herë në një sezon, por nuk e kemi fituar titullin”.

AKADEMIA DHE MINISTADIUMI – “Shumë shpejt do të bëhet akademia e Partizanit, do ta përfundojmë këtë punë të lënë përgjysmë. Këtë vit që vjen minimalisht do të jetë mbaruar ministadiumi jonë dhe dy fushat stërvitore. Skuadra do të fillojë të stërvitet aty, ndërsa te ministadiumi do të luajmë ndeshjet e një rëndësie të vogël. Nuk dua ta bëj politike, por Partizani mund të jetë i vetmi ekip në botë që iu hoqën gjithçka, fushat, stadiumet, çdo aset. Ka skuadra dhe në Kategori të tretë që kanë fusha në pronësi të tyre”.

PARTNER NË BIZNES  ? – “Për momentin jam i vetëm, por jam i hapur për partner. Në një moment të dytë, pse jo dhe një partner. Gjithsesi për këto dy fusha dhe ministadiumin po investoj krejtësisht i vetëm. Synimi është që Partizani të kthehet në një biznes të suksesshëm, nëse nuk arrij këtë do më duhet ta mbuloj kokën jo me çarçaf, por me dyshek. Nuk i jam futur kot këtij investimi”.

DREJTORI OLSI RAMA – “Është një djalë simpatik, korrekt dhe me shumë karakter. Është një baba shumë i mirë, këtë e them për faktin se di si ta çojë atmosferën e familjes tek ekipi”

TRAJNERI SKËNDER GEGA – “Është një burrë zotëri me të cilin kam pasur një marrëdhënie shumë të mirë. Kemi ditur të menaxhojmë disa situata, pasi sezoni nuk ka kaluar pa probleme. Përderisa na shpalli kampion është një trajneri shumë i mirë”.

NDËRHYRJET NË FORMACION – “Hera e parë dhe e fundit që jam futur në formacion ka qenë disa vite më parë, kur luanim ndaj Teutës në Durrës. I thash dikujt t’i thoshte trajnerit Starova që ta fuste Bardhin në pjesën dytë. Atë ndeshje u fut dhe shënoi goli”.

PËRFORCIME PËR CHAMPIONS – “Para dy orësh ka pasur një mbledhje të vogël me drejtuesit e mi. Synojmë të përforcojmë ekipin me sa më mirë që të jetë e mundur për kualifikueset e Champions League. Grupin e  kemi, por konkurrenca e rrit nivelin. Duhet të bëjmë kujdes, pasi gjysma e menaxherëve janë mashtrues. Mund të të sjellin lojtarë që paguhen shtrenjtë e të prishin grupin. Kemi te Partizani disa lojtarë që kanë rroga të larta dhe nuk luajnë”.

TIRANA – “Unë jam me origjinë çame, por jam rritur në Tiranë dhe e ndjej veten tirans, madje në rininë time kam qenë tifoz i Tiranës. Gjithsesi besoj në Fair-Play. Mua barazimi nuk do më mërziste ja thashë këtë edhe gruas sime. Në fund skuadra jonë sikur e lëshoi disi lojën, por Tirana nuk diti si ta shfrytëzonte këtë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *