Për të përcaktuar pak se çfarë ndodh realisht me Partizanin dhe trajnerët e saj, duhet të kthehemi te kori epik i tifozëve të Juventusit, në përkrahje të skuadrës së tyre. “Storia di un grande amore”. Nga Agostineli, te Sormani, te Iuliano, te Lerda, për të rikthyer sërish Sormanin dhe tani…Xhovani Kolela.
Vetëm gjashtë vite të kaluara, për gjashtë italianë që marrin stolin e një prej klubeve më të mira në Shqipëri. Kjo dëshmon qartë dashurinë e madhe të presidentit Demi karshi trajnerëve italianë. Madje është aq e madhe sa nuk mund të lëkundet as pas zhgënjimeve të thella, nga ato që të shënojnë dhe të lënë gjurmë për shumë kohë, siç ishte në rastin e Sormanit.
Kur italiani në fjalë do të rikthehej te Partizani, Demi nuk ngurroi të shprehej: “Kontratën e kemi afatgjatë, është dy vite e gjysmë, desha të bëja edhe më të madhe, por Sormani u mjaftua edhe me kaq duke e kërkuar të tillë”. Pra presidenti i kryeqytetasve kërkoi t’i jepte kontratën e përjetshme, për të treguar qartazi besimin e madh që kishte për të.
Por mjaftuan vetëm pak në muaj si timonier i rikthyer që italiani të humbiste sërish rrugën, do të largohej pa mbushur vitin. Humbi atë rrugë që e kishte shkelur më herët dhe e dinte fare mirë se çfarë e priste. Mendohej se kjo goditje e madhe i kishte dhënë edhe një lëkundje fiksimit të Gaz Demit për trajnerët italianë, teksa firmosi me Ilir Dajën dhe Mehmetin. Nuk kaloi shumë kohë për t’u rikthyer sërish te e shkuara që të thërret, Xhovani Kolela zyrtarizohet te Partizani.
Si do të jetë historia e këtij trajneri te të kuqtë? Mbetet që të shihet, por një gjë dihet me siguri. Presioni në Shqipëri është i madh dhe më veçanërisht te klubet që e përjetojnë kaq shumë futbollin si Partizani, Tirana dhe Vllaznia. Për të hyrë në zemrën e Gaz Demit mund të futesh lehtë, praktikisht Kolela nuk ka arritur asgjë. Por edhe për të dalë prej saj mund të dalësh po kaq lehtë, kjo është sfida e vërtetë për Xhovanin.
Dritan Mehmetit u quajt nga Gaz Demi si trajneri i tij, por kjo nuk e ndaloi që të largohej pa nisur sezoni i ri. Deklarata dashurie deri në pensionim u dhanë edhe për Ilir Dajën, që iku pa përmbushur pritshmëritë dhe kontrata e përjetshme për Sormanin që zhbëhet në pak muaj tregojnë qartazi presionin e rezultateve në Superiore. /Sport Ekspres/