Aktualisht në Kransojarsk temperatura rreth mesditës shkon e shumta 25 gradë. Klimë perfekte, për futboll e stërvitje, por Enis Gavazaj duhet ta shijojë sa nuk është vonë, sepse kur të vijë tetori do të ndihet si në Korçë, ndërsa më pas Korça do t’i duket si Xhamajkë.
Mesfushori i kombëtares sonë është transferuar tek Enisej në kampionatin rus, ku do të luajë në Premier Ligë, ndërsa sot ka folur për faqen zyrtare të klubit rus. Natyrisht, më shumë se kundërshtarët, Gavazaj do të ketë rival të ftohtin, sepse në Krasnojarsk janari, për shembull, ka temperatura mesatare -20 gradë, një çmenduri për shqiptarët. Imagjinoni sa e vështirë do të jetë për Gavazajn të kalojë 4-5 muaj duke mos e parë asnjëherë termometrin të shkojë mbi zero.
Megjithatë, Gavazaj nuk ka frikë dhe beson se do t’ia dalë, ashtu si ka besim tek Enisej, debutues në Premier Ligë.
“Kam mbetur shumë i kënaqur nga ajo që kam parë. Ambientet e klubit janë shumë të mira, shokët e skuadrës dhe stafi më kanë pritur shumë mirë. Kjo skuadër ka gjithçka që i duhet për të zhvilluar stërvitje të nivelit të lartë. Tani jemi në fazë përgatitore dhe po punojmë me ritëm të lartë, jam i bindur se në fund do të arrijmë rezultate të mira.
“Pse e zgjodha Enisein? Sepse është pjesë e një kampionati shumë të fortë dhe është një sfidë e madhe për mua. Jam i sigurt se mund të jap një kontribut të rëndësishëm te kjo skuadër. Do të bëj gjithçka kam mundësi për të ndihmuar ekipin dhe premtoj impenjim maksimal. Në miqësoren e fundit u ndjeva shumë mirë, u kuptuam mirë në fushë dhe shpresoj që të përmirësohemi gjithnjë e më shumë. Më vjen mirë që kjo skuadër luan shumë me topin dhe në miqësore kemi pasur një zotërim të madh të topit, tipar dallues i këtij ekipi.
“Krasnojarks? Sinqerisht nuk kisha shumë informacion, kur më informuan për ofertën u futa në internet për të lexuar dhe tani po marr gjithnjë e më shumë informacion. Po përshtatem me stilin e punës, në mënyrë që stili im i lojës të ndërthuret me atë të skuadrës.
Dmitri Aleniçev, ish-futbollist i famshëm rus (ish-Roma) është trajner: “Po, e kam zbuluar edhe këtë nëpërmjet internetit dhe kam mësuar shumë edhe për të shkuarën e rëndësishme të trajnerit. Tani e di çfarë futbollisti ka qenë, në nivelet që ka luajtur. Natyrisht është një nder i madh për mua që të punoj me të. E përsëris, më pëlqen gjithçka këtu.
“Moti? Natyrisht, do të jetë një sfidë më vete për mua, por besoj se do të mësohem shpejt, nuk kam frikë, as nga arinjtë dhe as nga i ftohti”.