Milani është në një moment jo të thjeshtë, sepse i duhet të presë vendimin e UEFA-s në lidhje me rregullat e Fair-Play financiar dhe nuk përjashtohet edhe ndonjë vendim drastik, si lënia jashtë Europe për të paktën një sezon.
Gjithsesi, trajneri Xhenaro Gatuzo nuk shqetësohet dhe vijon punën për të ardhmen, duke u munduar të gjejë emrat e duhur për t’ia servirur klubit, që më pas ka për detyrë t’i blejë.
Trajneri kuqezi do të udhëtojë për në Rusi së bashku me drejtorin sportiv Masimiliano Mirabelli, për të ndjekur nga afër disa ndeshje të Kupës së Botës, që Gatuzo e ka fituar 12 vite më parë, por që tani do të zhvillohet pa Italinë.
“Botërori është gjithnjë një eveniment madhor, do të shkojmë të shohim disa ndeshje – ka deklaruar Gatuzo për Sky Sport. – E dimë shumë mirë çfarë duhet të bëjmë, do të vëzhgojmë disa lojtarë. Kam për detyrë që ta përgatit më së miri këtë sezon, edhe pse familja nuk është shumë e kënaqur me faktin se po punoj edhe në qershor. E bëj me shumë entuziazëm, pas kthimit nga Rusia do shkoj në Spanjë me gruan dhe fëmijët për dy javë. Më pas, kthim në Itali dhe direkt në punë, duke shpresuar që të bëjmë një sezon të madh”.